Disa qytetarë janë shoqëruar nga policia pas thirrjeve protestuese ndaj kryeministrit Edi Rama në ambientet e jashtme të Bashkia e Durrësit, pas përfundimit të një takimi me banorët që preken nga projekti TID.

Ngjarja ndodhi pas një mbledhjeje rreth dy orë e gjysmë mes kryeministrit dhe përfaqësuesve të familjeve, banesat e të cilëve preken nga projekti. Rama deklaroi se takimi ishte konstruktiv dhe se projekti do të vijojë përpara pa u ndalur.

Megjithatë, jashtë bashkisë disa qytetarë e pritën me thirrje protestuese, duke e quajtur kryeministrin “mashtrues”, “hajdut” dhe “maskara”, ndërsa pretendojnë se edhe banesat e tyre preken nga projekti.

Sipas dëshmive dhe pamjeve të mbërritura në redaksi, pas përplasjes verbale me kryeministrin, disa prej protestuesve u shoqëruan nga policia.

Gjatë deklaratës së tij, Rama u shpreh se protestuesit nuk përfaqësonin qytetarët e prekur, por ishin të nxitur politikisht, duke i identifikuar me Partia Demokratike.

“Çfarë qytetarësh, ju jeni Partia Demokratike. Këta janë qytetarët, unë ja ku jam me ta. Ju jeni PD. Unë me këta jam…”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se me 34 qytetarë përfaqësues të familjeve të prekura është zhvilluar një bisedë e gjatë dhe konstruktive, ku janë diskutuar verifikimet për objekte me vlera të mundshme kulturore, si dhe çështja e dëmshpërblimit.

Ai shtoi se projekti nuk do të ndalet dhe se do të ketë prishje, por do të bëhen verifikime për banesat që pretendohet se janë trashëgimi kulturore apo për ato që nuk kanë regjistrim në hipotekë pavarësisht se ekzistojnë prej vitesh.

Projekti TID është një nismë e qeverisë shqiptare që synon kthimin e zonës arkeologjike të Durrësit në një park të madh urban. Sipas njoftimeve zyrtare, banorët e zonës janë lajmëruar se deri më 16 shkurt duhet të largohen vullnetarisht nga banesat për t’i hapur rrugë realizimit të projektit.

Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar të detajuar nga policia për numrin e qytetarëve të shoqëruar dhe arsyet konkrete të arrestimit.