Naim Noka
Reforma në drejtësi vdiq! Nga reforma naive e “Plepave të Durrësit” të Sali Berishës, tani kemi prekur fundin me reformën e Irenës. Nuk pranoj më asnjë mendim për këtë palo reformë në drejtësinë e Shqipërisë. Nëse mua do të më gjykojë Irena e Gjokajve, ky është fundi i drejtësisë në këtë vendin e çudirave dhe e them me plot gojën: pirdhuni bashkë me këtë drejtësi!
Reforma në drejtësi, e shpallur si operacioni më i madh i pastrimit institucional në historinë e shtetit shqiptar, sot për një pjesë të madhe të qytetarëve perceptohet si një premtim i konsumuar. Ajo që nisi si shpresë për drejtësi të pavarur, sot për shumëkënd është kthyer në simbol zhgënjimi, mosbesimi dhe lodhjeje publike. Mund të quhet pa frikë dhe reforma Balluku!
Na u paraqit si mekanizëm për të shkëputur drejtësinë nga ndikimi politik, për të pastruar sistemin nga korrupsioni dhe për të rikthyer besimin te ligji. U investuan 10 vite, miliona euro dhe kapital i madh politik. U ngritën institucione të reja, u aplikua vettingu, u ristrukturua sistemi. Por, ndërsa procesi vazhdoi, perceptimi publik nisi të bëhet Irenë me shumë mbiemra.
Sot debati nuk është më nëse reforma u zbatua me standarde të barabarta dhe nëse prodhoi drejtësi reale apo thjesht një rikonfigurim të pushteteve të Edi Ramës brenda sistemit. Kur qytetarët shohin procese që zgjasin pafund, dosje që zvarriten, figura si Belinda Balluku e Ramës që nuk preken dhe standarde që duken selektive, atëherë unë jam i bindur se drejtësia është bërë më e shtrenjtë në ryshfet dhe vetëm pak më e komplikuar në pagesa.
Problemi më i madh sot nuk është vetëm funksionimi teknik i institucioneve, por kriza e besimit. Drejtësia jeton mbi besimin publik. Në momentin që qytetari mendon se gjykimi nuk është i barabartë, se vendimet ndikohen apo se sistemi prodhon padrejtësi të reja, atëherë reforma humbet kuptimin e saj.
Një reformë nuk matet me raporte ndërkombëtare, por me ndjesinë e qytetarit të zakonshëm përballë gjykatës. A ndihet ai i mbrojtur? A ndihet i dëgjuar? A beson se ligji është mbi pushtetin? Nëse përgjigjja për këto pyetje është “jo”, atëherë reforma, pavarësisht strukturave të reja, ka dështuar në thelb. Rasti Irena Gjoka i vë vulën e vdekjes përfundimtare kësaj palo reforme në drejtësi.
Shqipëria nuk ka nevojë për meme të reja për drejtësinë. Ka nevojë për rezultate të prekshme, standarde të barabarta dhe institucione që frymëzojnë respekt — jo frikë, jo dyshim, jo përçarje.
Qytetarët po humbasin edhe atë pak iluzion besimi tek kjo reformë në drejtësinë e Irena Gjokës. Ndaj boll na dërdëllisni për reformë në drejtësi! Kujdes, hapni sytë se në vijim do të ashpërsohet Kodi Penal me nene të reja, më keq se ai i seksit në udhëtimet jashtë vendit. Kjo palo drejtësi do të na e transformojë me sukses edhe idenë e shtetit serioz në një palo shtet! Të rrojë partia! Lavdi veprës së ndritur të shokut Edi Rama! Rroftë shoqja Bela!






