TIRANË – Ndërsa operacionet ndërkombëtare dhe goditjet e SPAK kanë detyruar dhjetëra call center-a mashtruese të mbyllen ose të transferohen jashtë kufijve, një strukturë e re dhe më e fuqishme po konsolidon pushtetin në zemër të kryeqytetit. Në qendër të këtij ekosistemi financiar, që ndërthur botën e krimit të organizuar me investimet luksoze, qëndron Ermal Peti. 37-vjeçari, i cili dikur njihej në qarqet e errëta për tentativat e dështuara në trafikun e drogës, sot konsiderohet si “truri” i ri i industrisë së mashtrimit online në Shqipëri, duke pastruar miliona euro në sektorin e ndërtimit dhe argëtimit.

Nga dështimet me Kolumbinë te “Telebingo” e fundit

Rruga e Ermal Petit drejt luksit të sotëm nuk ka qenë lineare. Burime investigative bëjnë me dije se karriera e tij nisi me rreziqe të larta në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Pas të paktën katër tentativave të dështuara për të hapur një linjë të qëndrueshme të kokainës nga Kolumbia drejt tregut europian—aksione këto që u ndaluan nga policia dhe e lanë Petin në prag të falimentit dhe me borxhe të rënda—fati i tij ndryshoi rrënjësisht. Një dërgesë e fundit, e konsideruar si “telebingo” financiare, arriti të kalonte filtrat e sigurisë, duke i siguruar atij mjetet monetare për të nisur një biznes që fillimisht u maskua me pikat e basteve (LLOTO) dhe më pas lulëzoi në industrinë e call center-ave.

Dekonspirimi i 12 Majit: Policia përballë “Mbrojtjes” së Petit

Fuqia e vërtetë e Ermal Petit nuk qëndron vetëm te paratë, por te rrjeti i tij i gjerë i ndikimit brenda strukturave të rendit. Më datë 12 maj 2026, një operacion i gjerë i Policisë së Tiranës synonte bastisjen e dy qendrave të tij operative, ku dyshohet se qindra operatorë mashtrojnë qytetarë europianë. Megjithatë, aksioni rezultoi një dështim total. Informacione të sigurta konfirmojnë se operacioni u dekonspirua orë më parë nga “kokrrat e vogla” brenda Policisë së Shtetit, të cilët njoftuan strukturat e Petit. Ky i fundit arriti të pastronte çdo gjurmë komprometuese, duke i lënë forcat e rendit të hynin në ambiente praktikisht të zbrazura nga provat materiale.

Blindimi 1.5 Milionë Euro dhe perandoria e pasurive të paluajtshme

Sot, Ermal Peti nuk fshihet më, por lëviz si një “mbret” i padonësuar në zonën e ish-Bllokut. Duke qenë koshient për rreziqet që i kanosen, ai ka investuar në një mbrojtje ekstreme: një automjet Audi A8 B9 (Blind) i vitit 2025, vlera e të cilit kap shifrën marramendëse prej 1.5 milionë euro. Por luksi i tij nuk ndalet te makinat. Peti ka arritur të shtrijë dorën në objektet më strategjike të kryeqytetit, duke u bërë pronar i plotë i katit të parë të Rainbow Center, ndërtesa më e shtrenjtë dhe elitare në zonën e Bllokut. Aty, ai vjel qira mujore nga marka globale si IQOS dhe ambiente të tjera tregtare, duke krijuar një fasadë perfekte të të ardhurave të ligjshme.

AVA Club: Lavatriçja 5 milionë euro e parave të call center-ave

Dyshimet më të forta për pastrim parash rëndojnë mbi investimin e tij të fundit në argëtim: AVA Club. I pozicionuar një kat mbi pronat e tij në Rainbow Center, ky klub nate përfaqëson një investim që i kalon 5 milionë euro. Me një qira mujore që arrin në 30,000 euro, shpenzimet për këtë biznes janë të paimagjinueshme për një aktivitet normal ekonomik. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ky klub, ashtu si rrjeti i tij me mbi 700 punonjës në call center-a, shërben si një mekanizëm për të futur në sistemin bankar fitimet e majme që vijnë nga skemat e mashtrimit online dhe transaksionet me kriptomonedha.

Ndërsa emri i Ermal Petit dhe vëllait të tij Florianit vazhdojnë të jenë nën vëzhgim, pyetja që mbetet për autoritetet është: A do të mjaftojë presioni ndërkombëtar për të goditur këtë strukturë që duket se ka blerë paprekshmërinë në çdo nivel?

Ky është pallati Rainbow Center ku Ermal Peti ka komplet katin e parë

Falë mashtrimeve të qytetarëve të BE për investime në bursa fiktive, vëllezërit më muajin dhjetor 2024, themeluan firmën “Nikea Construction”.Firma ka si adresë qytetin e Tiranës, në rrugën e Elbasanit te Park Gate, në katin e tretë. Në muajin qershor të vitit 2025, Ermal Peti ka aplikuar pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe ka arritur të marrë leje për ndërtimin e një fshati turistik, vila me pishina në zonën e Saukut.

“Shitja e objekteve, njësive të ndërtuara si investitor dhe ose subjekt ndërtues dhe/ose dhënia e tyre me qira. Aktivitet në fushën e ndërtimeve civile, objekte shërbimi dhe banimi, rrugë, ura, porte, trase hekurudhore, terminale, hidrocentrale, veprave bonifikuese si dhe parkimeve nëntokësore”, shkruhet në dokument.

Dyshimet janë se paratë e fituara nëpërmjet mashtrimit të qytetarëve të BE, janë investuar në bizneset e Ermal Petit, ndërsa vetë i riu raportohet se është larguar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Pavarësisht se nuk është fizikisht, Peti ka shtuar pasurinë në Shqipëri, pasi zotëron vila, apartamente dhe toka. Ndërkohë autoritetet ligjzbatuese shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, pavarësisht përmendjes së vazhdueshme të aktivitetit të paligjshëm të 2 vëllezërve.