Policia: Në pranga faturisti i energjisë elektrike, shpallen në kërkim 4 persona

Policia ka arrestuar faturistin e energjisë elektrike dhe ka shpallur në kërkim katër persona të tjerë, në lidhje me sasinë e drogës të zbuluar një ditë më parë në një banesë në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Në pranga është vënë shtetasi Erion Dogovelli, ndërsa në kërkim është shpallur Romario Hasa dhe tre të tjerë.

Njoftimi i policisë:

Peqin/Vijojnë hetimet në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”.

Vihet në pranga 1 shtetas për “Shpërdorim detyre” dhe shpallen në kërkim 2 autorë të dyshuar (të afërm me njëri-tjetrin), si dhe 2 shtetas të tjerë për “Shpërdorim detyre”.

Sekuestrohen 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, një pjesë e të cilave u asgjësua me anë të djegies.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Kurtaj”, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, Bashkia Peqin, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vijuar veprimet hetimore dhe verifikuese.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se, në këtë ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, janë konstatuar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.