Kllounada e Ermalit  dhe filozofia e varfërisë që “meritohet”

Ermal Mamaqi, i njohur fillimisht për batutat në Portokalli, falë këmbënguljes së Tanit në Top Channel që ta fuste në spektaklin e humorit, sot shet “pordhë motivimi” në Instagram me bizneset e tij të marketingut personal, më shumë sesa për ndonjë kontribut serioz publik. Dhe ja ku del sërish të na japë leksione “suksesi”.

Në stilin e tij tipik të shitjes së shpresës me ofertë speciale, ai deklaroi se kush pas moshës 40-vjeçare është ende i varfër “e meriton të jetë i tillë”.

Pra, sipas filozofit të ri të seminarëve me qindra euro biletë:

Je i papunë?
Të ka mbytur inflacioni?
Lufton çdo ditë për të ushqyer fëmijët?
Fajin e ke vetë.

Jo politika shkatërruese, jo korrupsioni, jo mungesa e meritokracisë, jo pagat më të ulëta në rajon.
Jo, jo. Ti e meriton varfërinë, sepse ke toleruar… tortën.
Aq e thjeshtë!

Ironia është se këto deklarata vijnë nga një njeri që suksesin e ndërtoi pikërisht në një sistem ku talenti shpesh zëvendësohet nga servilizmi, dhe mundësitë shpërndahen me klientelizëm, jo me djersë.

Nga DJ dasmash, këngëtar e prezantues, në aktor, pastaj në milioner të Instagramit, karriera e tij është një listë kalimesh me fat, jo një manual i meritokracisë.
Disa thonë se përdor paratë e Ramës, disa të Veliajt. Vetëm djalli e di historinë e lekëve të këtij birboje me kostum kllouni.

Dhe pastaj ky del e të thotë: “Mos prit ndihmë nga shteti, bëhu vetë milioner.”
Po nga kush? Nga fryma e tij e shenjtë që shitet me biletë?
Mesa duket, për Mamaqin, varfëria s’është problem social, por mungesë abonimi në seminarët e tij.

Në fund të ditës, nuk është aspak motivim kur një njeri i privilegjuar tallet me ata që luftojnë për të mbijetuar.
Është thjesht arrogancë me mikrofon.

Sytki Spici