TIRANË – Një tender me procedurë emergjente i Autoriteti Rrugor Shqiptar për rrëshqitjet në zonën e Dragostunjës, Librazhd, ka përfunduar në duart e së njëjtës kompani që lidhet me shembjen e mëparshme në të njëjtin aks rrugor

Dokumentet zyrtare tregojnë se kompania “A.N.K” SHPK është shpallur fituese e procedurës me negocim, pa shpallje paraprake, për kontratën me objekt: “Emergjencë masa parandaluese mbi rrëshqitjen në zonën ‘Ligata e Bicit’, Dragostunjë”.
Fond limit i këtij tenderi arrin në 93,702,755 lekë pa TVSH, ndërsa oferta fituese e “A.N.K” rezulton 88,472,300 lekë pa TVSH. Në garë ka marrë pjesë edhe kompania “2 T” SHPK me një ofertë shumë pranë fondit limit, konkretisht 93,300,000 lekë.
Procedura e ndjekur – negocim pa shpallje paraprake – përjashton garën e hapur dhe i jep autoritetit publik mundësinë të negociojë drejtpërdrejt me operatorët ekonomikë. Në këtë rast, rezultati ngre dyshime serioze mbi konkurrencën reale dhe transparencën e procesit.
Kompania fituese është e lidhur me punimet në aksin ku ndodhi rrëshqitja që izoloi për ditë të tëra zonën, duke detyruar banorët të devijonin qindra kilometra për të lëvizur drejt Tiranës dhe qyteteve të tjera. Situata krijoi pasoja të rënda sociale dhe ekonomike për banorët e zonës.
Fakti që i njëjti operator ekonomik përfiton fonde publike për të ndërhyrë në pasojat e një situate ku vetë është i përfshirë, ngre pikëpyetje mbi standardet e mbikëqyrjes dhe përgjegjësinë institucionale.
Në dokumentin e firmosur nga drejtori i përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, konfirmohet se procedura është zhvilluar në kuadër të emergjencës, me një afat zbatimi prej 2 muajsh e 14 ditësh.
Ndërkohë, nuk ka transparencë publike mbi hetimet apo përgjegjësitë konkrete për shembjen e mëparshme në këtë segment, çka e bën këtë rast një shembull tipik të riciklimit të operatorëve në projekte publike, pavarësisht rezultateve problematike në terren.






