Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë individëve që kanë plotësuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025) dhe rezultojnë me tatim të mbipaguar, të aplikojnë për kompensimin e shumës që u takon.

Nga kjo skemë përfitojnë jo vetëm individët me fëmijë në ngarkim, të cilët mund të përfshijnë në zbritje 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë dhe deri në 120 mijë lekë për shpenzime arsimore, por edhe ata që nuk kanë fëmijë, por që pas rillogaritjes rezultojnë me tepricë tatimore.

Për të gjitha kategoritë, kompensimi kalon drejtpërdrejt në llogarinë bankare të deklaruar, ndaj është thelbësore që të dhënat bankare të jenë të sakta. Tatimet kërkojnë që çdo aplikant të ngarkojë në format PDF dokumentin e IBAN-it, të lëshuar nga banka ku është hapur llogaria.

Për të shmangur vonesat në procesin e rimbursimit, administrata tatimore ka publikuar një udhëzues të detajuar për plotësimin korrekt të të dhënave në sistemin e-Filing, duke theksuar se deklarimi i saktë i llogarisë bankare është kusht i domosdoshëm për përfitimin e shumës.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë individët që kanë dorëzuar deklaratën dhe kanë kërkuar rimbursim duhet të verifikojnë me kujdes të dhënat e tyre në sistem, në mënyrë që të shmangen pengesat gjatë kalimit të fondit.

Ky vit sjell një risi të rëndësishme: për herë të parë përfitojnë kompensim edhe individët pa fëmijë, në rast se rezultojnë me tatim të mbipaguar. Për këtë kategori, procedura mbetet e njëjtë, me përjashtimin e vetëm që nuk kërkohet certifikatë familjare.

Ndërkohë, sipas ministrit Petrit Malaj, deri më 31 mars janë dorëzuar 164,263 deklarata individuale, duke shënuar një rritje prej 25% krahasuar me një vit më parë. Rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim për fëmijët nën 18 vjeç.

Sistemi ka gjeneruar një fond total prej 1.4 miliardë lekësh për rimbursime, por deri tani individët kanë kërkuar vetëm 670 milionë lekë për t’u transferuar në llogaritë e tyre.

Udhëzuesi për plotësimin e llogarisë bankare në e-Filing

Hapi i parë
Hapni faqen zyrtare e-Filing dhe identifikohuni duke vendosur Numrin Personal të Identifikimit dhe fjalëkalimin. Pranoni termat dhe kushtet dhe klikoni “Hyr në sistem”.

Hapi i dytë
Në menunë kryesore në krye të faqes, klikoni te opsioni “eFiling Im”, i cili ndodhet mes “Kontabilitet” dhe “Menaxhimi i Aksesit”.

Hapi i tretë
Nga opsionet që shfaqen, zgjidhni “Profili Im” për të hyrë në të dhënat tuaja personale.

Hapi i katërt
Në menunë anësore, klikoni “Detajet e Bankës” për të aksesuar seksionin ku shtohen ose modifikohen llogaritë bankare.

Hapi i pestë
Klikoni mbi “Shto një llogari bankare” dhe përgatisni paraprakisht të dhënat e nevojshme: IBAN-in, emrin e bankës dhe dokumentin vërtetues në PDF.

Hapi i gjashtë
Plotësoni formularin me të dhënat e sakta bankare dhe ruani informacionin për të vijuar me procedurën e rimbursimit.