Një ditë pranë misterit të kontejnerëve toksikë

Durrës, Dhjetor 2024

Në një zonë periferike të Durrësit, ku qetësia duket se përtyp çdo tingull, fshihet një nga misteret më të mëdha të këtij viti: 102 kontejnerë të mbushur me mbetje toksike, të sekuestroar nga Prokuroria e Durrësit. Pasi Tajlanda refuzoi ngarkesën dhe kontejnerët u kthyen në Shqipëri, çështja ka mbetur në një mjegull informacionesh dhe dyshimesh.

Sot, vendndodhja  e këtyre mbetjeve ruhet  nga roje private me fanatizëm, larg vëmendjes publike, ku këto kontejnerë qëndrojnë  të  depozituar.

Një zonë e mbrojtur apo një rrezik i fshehur?

Sipas disa banorëve të zonës nuk ka lëvizje,  – “Nuk e dimë çfarë ndodh atje, por që kur u vendosën kamerat dhe rojet, askush nuk lejohet të afrohet,” thotë një fermer lokal, i cili kërkon të mbetet anonim. Ai shton se ka pasur raste kur erërat e forta kanë përhapur një aromë të rëndë metali nga ajo zonë.

Fakti dhe heshtja zyrtare

Nga burimet që kemi kontaktuar, ku përfshihen ekspertë mjedisorë dhe ish-punonjës të zonave industriale, besohet se mbetjet përmbajnë pluhur helmues të njohur për përbërës kancerogjenë.

Prokuroria e Durrësit, në komunikimin e saj të fundit, ka deklaruar se po priten analizat zyrtare për të përcaktuar përbërjen e saktë të mbetjeve.   Kampionet janë dërguar  për analiza në tre laboratorë të ndryshëm jashtë vendit, rezultati i të cilave pritet të dilte në harkun e 21 ditëve. Por ende sot askush nuk ka një informacion rreth rezultatit të këtyre analizave.   Ndërkohë kontejnerët monitorohen nga kamera sigurie dhe patrulla të policisë së Komisariatit të Durrësit. Ndërkohë, ministria e Mjedisit nuk ka bërë asnjë deklaratë të plotë për atë se çfarë ndodh me këto kontejnerë, apo nëse ekziston një plan për t’i trajtuar në mënyrë të sigurt.

Të paftuarit dhe rreziku i afërt

Në përpjekjen për të hyrë më pranë zonës, rruga mbyllet nga një gardh i lartë metalik. Një roje privati, i cili refuzon të përgjigjet për pyetje të tjera, mjaftohet të thotë: “Kjo zonë është nën mbikëqyrje të Prokurorisë. Nuk mund të futeni.”

Por, pyetjet mbeten: Çfarë ndodh nëse këto mbetje do të përfundojnë në vendgrumbullime të paautorizuara? A po përmbushen standardet ndërkombëtare të trajtimit të mbetjeve toksike?

Alarmi për publikun

Ndërkohë, organizata të shoqërisë civile po bëjnë thirrje për transparencë dhe llogaridhënie. Rrjeti i Aksionit të Bazelit ka paralajmëruar se Shqipëria nuk ka kapacitete për të menaxhuar një ngarkesë të tillë toksike, dhe çdo vonesë në trajtimin e saj mund të rezultojë fatale për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.

“Këto janë çështje që nuk mund të fshehen pas dyerve të mbyllura. Nëse mbetjet nuk trajtohen si duhet, ndikimi i tyre do të ndihet për dekada,” thotë një përfaqësues i organizatës.

Pritja për përgjigje

Teksa dielli perëndon dera e madhe  e vendit  ku qëndrojnë  mbetjet  në kontenierë  nuk hapet dhe ndërsa përgjigjet për këto pyetje jetike duken më të largëta se kurrë.

Si qytetarë të një vendi që pretendon përparime në drejtësi dhe transparencë, ne presim që zyrtarët të bëjnë detyrën e tyre dhe të informojnë publikun për këtë çështje kaq të rëndësishme. Sepse kur çështja është shëndeti i qytetarëve dhe mbrojtja e mjedisit, heshtja nuk është zgjidhje, por një problem më vete.