Naim Noka
Në politikë mund të manipulohet perceptimi, por jo dokumenti. Çdo vendim lë gjurmë: VKM, kontratë, firmë, pagesë. “Padishahu”, ose kryeministri i 12 viteve radhazi dhe i gjithëpushtetshëm, ka filluar rënien nga maja dhe po përpëlitet në superkazanin e zullumit të tij.
Duket se hija e McGonigal në dosjen federale të SHBA-së, ku emri i kryeministrit shqiptar përmendet në mënyrë të përsëritur në kontekst ndërveprimesh me një zyrtar të lartë të FBI-së të dënuar për korrupsion, është material gjyqësor i regjistruar.
Padishahu nuk i mohon dot miliona eurot e inceneratorëve në hetimet penale: shpalljen e emergjencës për mbetjet; miratimin e bonusit 8% për koncesionarët para krijimit të kompanive; kontrata qindra milionë euro; pagesa të kryera nga buxheti i shtetit për impiante që në disa raste nuk ekzistojnë ose nuk funksionojnë sipas kontratës. Ish-ministra dhe zyrtarë janë në burg, por vendimet janë firmosur në nivel qeverie, fap-fap-fap.
Porti i Durrësit dhe projekti “Alabbar” janë fakt, bashkë me vendimin për transferimin e portit ekzistues dhe dhënien e mbi 800 mijë m² tokë publike për zhvillim.
Padishahu e bëri pa garë klasike ndërkombëtare, por me negocim direkt, duke sajuar ndryshime ligjore të dedikuara për këtë projekt.
Padishahu ynë e mbolli “pyllin orbital” të Erion Veliajt me kulla masive në zonat më të shtrenjta.
Fakt është përdorimi i parasë “cash” në sektor, i identifikuar nga BE dhe SHBA si rrezik për pastrim miliardash. Fakt është mungesa e filtrave të fortë për verifikimin e burimit të kapitalit.
Padishahu ynë nuk e fut dot në thes tunelin e Llogarasë dhe dosjen e SPAK për Belinda Ballukun.
Padishahu ynë na bëri peshqesh koncesionet në shëndetësi: check-up, sterilizimi, laboratorët. Fakte: kontrata shumëvjeçare, pagesa të garantuara nga shteti, hetime të nisura nga SPAK për disa prej tyre.
Po kontratat “1 euro” dhe ekzistenca e dhjetëra marrëveshjeve ku asete publike janë firmosur fap-fap-fap me tarifa simbolike për investime private të miqve, shpesh pa konkurrencë reale.
Padishahu shëtiti aeroporteve të botës me avion privat të Air Albania: një krijesë kompanie me partneritet publik-privat dhe përdorimi i charterëve nga struktura shtetërore. Fakt janë raportimet ndërkombëtare mbi përdorimin e tyre për transporte jo transparente.
Amnistia fiskale u bë fakt: tashmë bandat, trafikantët ndërkombëtarë dhe hajdutët e fondeve publike kanë mundësi të legalizojnë kapitale të padeklaruara, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga SHBA dhe BE.
Pastaj faktet nuk mbarojnë: Spitalla me parkun energjetik, ku u negociua me kompani me precedentë penalë ndërkombëtarë dhe me përfshirje lobimi të lidhur me familjarë të tij.
Nuk po flasim për miliardat e basteve në të zezë që përdoren nga bandat në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë e Tiranë. Po kanabisi? Kush janë përfituesit e licencave?
Po kazinotë dhe bregdeti? Fakt janë licencat e dhëna dhe projektet në zonat turistike me investitorë të lidhur me rrjete ndërkombëtare kapitali të dyshimtë ose banda.
Lëre pastaj akuzat dhe hetimet italiane mbi ‘Ndrangheta-n, ku përmendet Shqipëria si territor investimi për pastrim parash në ndërtim dhe turizëm.
Po porti i ri në Porto Romano, që u anulua pas presionit amerikan dhe europian? A nuk u tentua të ndërtohej përmes kompanive offshore, zgjatim i interesave ruse? Apo mund t’i ketë bërë Belinda Balluku pas shpine?
Ironia e kronikës është e thjeshtë: e krijove sistemin mbi centralizimin e firmës tënde, fap-fap-fap, dhe sot nuk mban dot peshën e përgjegjësisë. Sepse në çdo hallkë të këtyre çështjeve ekziston një element i përbashkët — vendimmarrja në nivel qeverie.
Dhe dosjet penale nuk rrëzohen me propagandë, as me sulme ndaj mediave, as me letra të hapura me Vuçiçin, e as me lloqe në podkaste. Nga maja ku je dhe nuk të zbritet, ka filluar rënia e lirë.
Po kalëron mbi kurrizin e rreth dy milionë shqiptarëve, që i varfërove më tej, duke ua bërë të pamundur jetesën, si socialistëve ashtu edhe demokratëve. Nëse ky trend nuk ndalet, historia do të të vendosë në të njëjtin kapitull me Sali Berishën: si padishahu që kontribuoi në telendisjen e një kombi, duke i kthyer qytetarët e një vendi të bukur e të begatë në ikanakë e refugjatë.






