Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla, duke e shpallur fajtor për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022. Vendimi tashmë është i formës së prerë dhe pritet që Memolla të arrestohet për të vuajtur dënimin, ndërsa Bashkia e Rrogozhinës mbetet pa drejtues.

Sipas hetimeve të SPAK dhe vendimeve të gjykatave, Memolla ndërhyri pranë OSHEE-së për të mos u ndërprerë energjia elektrike debitorëve në zonë, me qëllim përfitimin e votave në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku kandidonte nën siglën e Partisë Socialiste dhe rezultoi fitues.

Memolla u hetua në gjendje të lirë dhe në janar 2025 u dënua nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me 1 vit burg. Ai e ankimoi vendimin në Apel duke kërkuar pafajësi ose, në alternativë, një masë më të lehtë dënimi. Megjithatë, trupa gjykuese e Apelit, e përbërë nga gjyqtarët Florian Kalaja, Igerta Hysi dhe Daniela Shirka, rrëzoi kërkesën e tij dhe la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Gjykata konfirmoi gjithashtu edhe dënimin plotësues, duke i hequr Memollës të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Me hyrjen në fuqi të vendimit, ai duhet të lërë menjëherë detyrën e kryebashkiakut, ndërsa autoritetet pritet të ekzekutojnë arrestimin brenda ditës.

Apeli i GJKKO la në fuqi edhe dënimet për tre të pandehur të tjerë të përfshirë në çështje. Blerim Xhamani u dënua me 1 vit e 8 muaj burg, ndërsa Isuf Toskut iu pezullua dënimi duke u vendosur në shërbim prove. Në fuqi mbeti edhe dënimi me 1 vit burg për Ndriçim Tafxhafën.

Me largimin e Memollës nga detyra, Bashkia e Rrogozhinës pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të pjesshme për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.