Nga Agim Baçi

Umberto Eco, teksa analizonte mënyrën se si shfaqen njerëzit sot në publik, shkruante se “fatkeqësisht sot shumë njerëz po e pranojnë se është më mirë të jesh një hajdut i mirënjohur, sesa një i ndershëm i injoruar nga të gjithë”.

A nuk e hasim edhe ne në përditshmërinë tonë këtë arrogancë? A nuk jemi ne që, pasi kemi dëgjuar dikë të krenohet se ka bërë korrupsion, vazhdojmë të qëndrojmë me të pas krekosjes për këtë “kryevepër”? Sa prej nesh i kanë braktisur tryeza të tilla, ku ka nga ata që krenohen për të tilla “vepra”, ndërkohë që të tjerë të pranishëm i thonë “bravo”, apo kur ai apo ajo largohet nga tavolina, i thonë: “Bravo filani, bir kurve, ka bërë para!”

Sociologu i njohur polak, Zygmunt Bauman, shkruante kohë më parë se si “rrjetet sociale”, që përfaqësojnë instrumente të vëzhgimit të mendimeve dhe emocioneve të të tjerëve, po përdoren dhe shfrytëzohen nga pushtete të ndryshme me qëllim kontrollin, duke nxjerrë në pah heqjen e kufirit të turpit për veprime që dekada më parë do ta bënin këdo të skuqej, nëse merrej vesh veprimi i tij.

Atëherë, çfarë mund të bëjmë kur nuk i plas më askujt për asgjë? Si mund t’i orientojmë të rinjtë sot, kur në komunikim ka rëndësi që të dukesh, e jo thelbi i asaj që thua?

Padyshim që korrupsion, vrasje apo perversitete ka pasur kurdo e kudo, në gjithë historinë njerëzore. Por shoqëritë janë dalluar nga barrikadat që bëjnë ndaj të padrejtës, ndaj së keqes, ndaj ligësive apo edhe ndaj indiferencës për këto akte. Dhe ne sot jemi pikërisht në atë pikë paralajmëruese të Umberto Ecos, ku hajduti publik ka epërsi ndaj të ndershmit që injorohet, madje që quhet “naiv” apo “i ngathët”.

Librat e shenjtë e kanë paralajmëruar rrezikun që vjen nga humnera që krijon gjuha e lavdërimit për të qenurit i aftë në vjedhje, korrupsion apo ligësi. Ne thjesht po e jetojmë këtë realitet, gati të dorëzuar përballë një qytetarie ku vendin e nderit e ka zënë i forti, grabitësi dhe i korruptuari – fiks siç i do pushteti qytetarët e tij: të paaftë të dallojnë dhe të denoncojnë të drejtën nga e padrejta.

Pas kësaj, pushteti do ta përdorë këtë humnerë morale të gjuhës dhe komunikimit publik për të krijuar pamundësinë e kundërshtimit ndaj të padrejtës dhe së keqes.

Nëse kjo humnerë thellohet, nuk ka pse të habitemi se përse nuk mbahet përgjegjësi nga askush dhe për asgjë.