Paralajmërimi i Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është thjesht një statistikë teknike në një raport periodik. Është një diagnozë politike, ekonomike dhe shoqërore për një vend që po zbrazet nga brenda. Shqipëria rezulton me përqindjen më të lartë në Rajon të qytetarëve që deklarojnë se synojnë të emigrojnë brenda një viti ose në dekadën e ardhshme. Ky nuk është një impuls sezonal, por një vendim i arsyetuar kolektiv.

FMN e thotë qartë: gatishmëria e lartë për emigrim sugjeron mungesë besimi në perspektivat ekonomike dhe sociale, dobësi strukturore të tregut të punës dhe paaftësi të sistemit për të prodhuar mundësi cilësore e të qëndrueshme. Me fjalë të tjera, shqiptarët nuk ikin vetëm për paga më të larta; ikin sepse nuk shohin të ardhme.

Narrativa zyrtare e integrimit në Bashkimin Evropian si zgjidhje automatike bie ndesh me këtë realitet. FMN paralajmëron se, pa rritje të cilësisë së ekonomisë dhe vlerës së punës, integrimi mund ta përforcojë emigrimin. Liria e lëvizjes, në kushtet e një ekonomie me paga të ulëta dhe produktivitet të dobët, kthehet në rrugëdalje, jo në instrument zhvillimi.

Shifrat janë kokëforta: të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 34% e mesatares së BE-së. Hendeku nuk është thjesht financiar; është strukturor. Rritja ekonomike e viteve të fundit ka qenë më tepër sasiore sesa cilësore e mbështetur në faktorë të përkohshëm, jo në rritje reale të produktivitetit. Puna dhe kapitali përdoren me efikasitet të ulët; informaliteti mbetet i lartë; vendet e punës krijohen, por jo ato me vlerë të shtuar.

Demografia e përkeqëson ciklin: emigrimi i të rinjve dhe tkurrja e popullsisë në moshë pune po godasin potencialin afatgjatë të rritjes. Shqipëria po humbet jo vetëm krahë pune, por tru, aftësi dhe energji sociale. Prodhimi për orë pune është dukshëm më i ulët se mesatarja e BE-së dhe e Ballkanit Perëndimor; ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve mbetet as në punë e as në shkollë. Kjo është një ekonomi që konsumon shpresë, por nuk e rinovon dot.

Hendeku i pagave, sidomos për të arsimuarit, është magnet emigrimi: në ekonomitë e avancuara të BE-së pagat janë mbi trefish më të larta. Por anketat tregojnë edhe diçka tjetër, po aq të rëndësishme: qeverisja dhe sundimi i ligjit. Mangësitë këtu janë nxitës kryesorë të largimit të punonjësve të kualifikuar. Kur meritokracia zëvendësohet nga klientelizmi, emigrimi bëhet akt racional.

FMN sugjeron rrugëdaljen: një paketë gjithëpërfshirëse reformash që rrit produktivitetin. Rritjet e përsëritura të pagës minimale mund të japin lehtësim afatshkurtër, por pa produktivitet janë të paqëndrueshme. Pa ekonomi me vlerë të shtuar, çdo politikë pagash është kozmetike.

Në fund, emigrimi masiv është votë mosbesimi. Një votë e hedhur çdo ditë, pa zhurmë, në sportelet e agjencive të udhëtimit dhe në aplikimet për punë jashtë. Nëse qeverisja nuk e lexon këtë votë si urgjencë kombëtare dhe jo si statistikë ikja do të mbetet strategjia kryesore e mbijetesës për shqiptarët.