Nga Naim Noka
Ka një shprehje popullore tek ne, zonja Marta: tre ujë e një kos. Hollim i qëllimshëm i përmbajtjes, derisa të mos mbetet as shija, as thelbi. Pikërisht ky është efekti i deklaratave të Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, për Shqipërinë.
Të thuash se vendi është “në rrugën e duhur” dhe, në të njëjtën kohë, të sugjerosh se korrupsioni “pranohet nga shoqëria”, është zhvendosje e përgjegjësisë. Është përpjekje për të tretur përgjegjësinë konkrete në një masë abstrakte.
Në Shqipëri, korrupsioni është bërë në këtë dekadë normë shtetërore. Korrupsioni nuk lind nga qytetari, por nga vendimmarrja. Nuk ushqehet nga kultura, por nga pushteti. Nuk mbrohet nga njerëzit, por nga strukturat.
Emigrimi masiv e rrëzon drejtpërdrejt tezën e “pranimit”. Një shoqëri që pranon korrupsionin nuk largohet prej tij. Shoqëria shqiptare e ka refuzuar, prandaj ka ikur. Më shumë se gjysma e popullsisë është në Europën që shërben me rrogë si komisionere.
Shqipëria po zbrazet jo sepse korrupsioni është normalizuar nga qytetarët, por sepse është i mbrojtur nga politika e mikut tënd, Edi Rama.
Kur përmendet SPAK si provë progresi, anashkalohet fakti themelor: lufta ndaj korrupsionit nuk matet me ekzistencën e institucioneve, por me kufijtë realë që u vendosen atyre.
Pyete Ramën në telefon pse nuk e dorëzon Ballukun, por e mbron me kartonat politikë që thotë se janë të popullit!
Mbrojtja parlamentare dhe relativizimi publik janë pengesat reale, jo “mentaliteti shoqëror”.
Abuzimi me miliarda euro të popullit më të varfër të Europës nga bashkëpunëtorët që mbron Edi Rama nuk mund të treten në formulime diplomatike: shto ujë e shto kos.
Kur shumica parlamentare përdoret si mburojë, kur vendimmarrja është e centralizuar dhe kur çdo skandal përkthehet në narrativë propagandistike, përgjegjësia është e qartë, jo kolektive.
Rasti i Belinda Ballukut nuk është produkt i shoqërisë.
Është test i sistemit: si reagon pushteti kur përballet me korrupsion dhe akuza konkrete nga SPAK-u.
Dhe reagimi ka qenë mbrojtje politike me kartonat e vjedhur, jo distancim institucional.
Problemi nuk është te shqiptarët. Problemi është te përshkrimi i tyre. Kur realiteti zëvendësohet me një narrativë të butë ndërkombëtare, siç po bën ti, zonja Kos, krijohet një Shqipëri paralele—ajo që ekziston në deklarata, jo në jetën reale.
“Tre ujë e një kos” nuk është thjesht shprehja jonë. Është hollim i së vërtetës derisa përgjegjësit të mos dallohen më. Thelbësorja mbetet: emri i korrupsionit, burimi i tij dhe përgjegjësit konkretë—përveç atyre që janë në burg, të tjerë presin radhën. Belindat, Mirlindat dhe Lindat e kryeministrit.
Prandaj jepi, Marta: një kos e tre ujë për “mullirin” e mikut që di si të sajdisë e të blejë. Ju europianëve mund t’ju blejë me farë kosi, por hallin e ka me amerikanët, se e kanë betin e lartë.






