Elona Caslli

Kur një ish sigurims kthehet në titullar institucioni, do të riaktivizojë të gjitha metodat e sigurimit të shtetit.
Vartësit do t’i shohë si numra dhe karrigen ku ulet si autoritet për të nënshtruar dhe për të poshtëruar njerëz.

Kur një ish sigurims kthehet në titullar institucioni, do ta rrethojë veten me spiunë dhe me servilë.

Të parët do t’i raportojnë gjithçka për të tjerët. Kur erdhën, kur ikën,kë takuan dhe sa herë shkuan në tualet.

Të dytët do t’i japin vëmendjen që nuk e pati kurrë në jetë. Do t’i përkëdhelin sedrën e mykur nga mospërfillja e gjithkujt dhe do të formësojnë shtresat e sedrës së përkëdhelur nga servilizmi i vartësve.

Servilët do të derdhin ujvara lëvdatash mbi të dhe ai pak nga pak do të fillojë të besojë vërtetë se është i madhërishëm në mediokritetin e tij dhe pikërisht këtu do të fillojë dhe rënia e tij.

Ai do të ndihet si perëndia e mediokërve dhe madhësinë e botës së madhe do ta masë me metrin e mediokërve që e rrethojnë.

Në delirin e madhështisë të një burri që askush nuk e trajtoi si të tillë në jetë, do të zhvasë gjithçka prek dhe do të përpiqet të nënshtrojë këdo me të cilin përballet, duke harruar se dita e rënies vjen një ditë dhe në rënie do të shkërrmoqen gjymtyrët dhe organet.

Do të shkërrmoqen duart që vodhën, sytë që shërbyen gjithmonë për të ndjekur njerëz dhe kurrë për të shijuar peizazhe, goja që spiunoi në të shkuarën dhe që dha urdhra poshtërues në të tashmen, veshët që nuk dëgjuan për të ndërtuar një bisedë, por për ta raportuar këtë të fundit, hunda që joshet nga aroma e vesit dhe është alergjike ndaj virtytit, dhëmbët që kafshojnë dinjitetin dhe gjuha që lëpin kurvërinë.

Ish sigurimsi do të përplaset mbi tokë dhe askush nuk do t’i mbledhë gjymtyrët dhe organet e tij. Servilët dhe spiunët do të zhduken sa hap dhe mbyll sytë për të gjetur pronarin e radhës për t’i shërbyer.

Post Scriptum- I vetëm do të mbledhë gjymtyrët dhe organet e shpërndara mbi tokë dhe do té rindërtojë veten e copëzuar dhe në muzg do të tretet imazhi i një frymori që nuk u ngrit kurrë në nivelin e një njeriu.