Akuzat e forta nga Ujeza Dolshani
Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar një ditë më parë në podcastin e tij “Flasim” mjeken estetiste Vilma Tafilaj, me të cilën zhvilloi një bashkëbisedim mbi operacionet plastike dhe ndërhyrjet estetike, duke e promovuar atë si një profesioniste të fushës.
Tafilaj, e cila zotëron një klinikë private estetike, ndau përballë Ramës këshilla se si pamja fizike mund të “përmirësohet” përmes trajtimeve dhe ndërhyrjeve të ndryshme estetike, duke krijuar imazhin e një specialisteje të suksesshme dhe të besueshme.
Por çfarë fshihet pas këtij imazhi publik?
Pas daljes së saj në podcastin e Kryeministrit, gazetarja Ujeza Dolshani ka bërë një denoncim publik ndaj mjekes estetiste Vilma Tafilaj, duke publikuar në rrjetet sociale një seri fotosh që, sipas saj, tregojnë pasojat e rënda të një trajtimi të kryer në klinikën private “Repeat Medical Clinic”.
Në pamjet e shpërndara, duken qartë dëmtime të fytyrës, përfshirë plagë dhe shenja të dukshme, për të cilat Dolshani pretendon se janë pasojë direkte e shërbimeve estetike të marra në këtë klinikë.
Sipas gazetares, trajtimi i shitur si “jo invaziv” nuk përfundoi në një irritim të përkohshëm apo efekt anësor kalimtar, por në djegie të fytyrës dhe shenjë permanente, e cila vijon të jetë e dukshme edhe sot.
Pas dëmtimit, Dolshani deklaron se nuk ka pasur as ndjesë, as transparencë dhe as përgjegjësi profesionale nga ana e mjekes Vilma Tafilaj apo klinikës private ku ajo ushtron aktivitetin.
“Fillimisht heshtje. Pastaj përgjigje tallëse. Në fund, mohim i plotë i faktit, si nga mjekja, ashtu edhe nga klinika private Repeat Medical Clinic,” – deklaron ajo.
Gazetarja tregon se për shkak të plagës së hapur dhe të djegur në fytyrë, u detyrua të largohej përkohësisht nga ekrani, pasi dëmtimi ishte i pamundur për t’u mbuluar edhe me make-up profesional. Për një gazetare televizive, kjo nuk përbën vetëm problem estetik, por ndëshkim profesional, humbje të ardhurash dhe izolim publik.
Ndërkohë, sipas saj, doktoresha në fjalë vijon normalisht aktivitetin: punon në QSUT, ushtron aktivitet privat në klinikën e saj dhe promovohet në hapësira publike si “specialiste e suksesshme”, pa asnjë sqarim, pa asnjë përgjegjësi dhe pa asnjë reflektim publik mbi rastin.
Ky denoncim ngre pikëpyetje serioze mbi:
-
përgjegjësinë profesionale në trajtimet estetike,
-
kontrollin e mjekëve që ushtrojnë paralelisht në sistemin publik dhe privat,
-
si dhe rolin e institucioneve dhe figurave shtetërore në promovimin publik të individëve që akuzohen për dëmtime të rënda ndaj pacientëve.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim zyrtar nga mjekja Vilma Tafilaj apo nga klinika “Repeat Medical Clinic” lidhur me akuzat e ngritura.












