Një protestë është zhvilluar këtë të hënë nga banorët e fshatit Imshtë, në njësinë administrative Bubullimë të Lushnjës, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e tyre. Banorët pretendojnë se bëhet fjalë për tokë publike dhe bujqësore që, sipas tyre, nuk duhet t’i kalojë privatit për ndërtim panelesh diellore.
Çështja është rikthyer në vëmendje edhe për shkak të reagimit të deputetit socialist Erion Braçe, i cili ka denoncuar atë që e cilëson si tentativë për grabitje të tokës publike në favor të ndërtimit të parkut fotovoltaik. Sipas tij, në zonë po tentohet të ndërtohen panele diellore në një sipërfaqe që shtrihet nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë, tokë që aktualisht përdoret nga bujqit e zonës.
Sipas të dhënave, projekti për ndërtimin e parkut fotovoltaik lidhet me biznesmenin Elton Çekrezi, pronar i kompanisë “EuroElektra”. Ai ka themeluar kompaninë “SunXpower”, e cila ka marrë leje për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Imshtë. Pretendohet se Çekrezi ka blerë sipërfaqen e tokës ku planifikohet investimi, ndërsa banorët dhe deputeti Braçe ngrejnë dyshime mbi statusin e pronësisë së saj.


Konflikti për këtë tokë ka nisur që në vitin 2024, kur banorët organizuan protesta të ngjashme duke kundërshtuar projektin. Ata pretendojnë se zona është pronë shtetërore e patjetërsueshme dhe nuk mund të shitet apo të jepet për ndërtim. Në atë kohë, deputeti Braçe publikoi edhe pamje ku shfaqej një person i shoqëruar nga policia që, sipas tij, po tentonte të merrte në zotërim tokën.
Nga ana tjetër, familja Çekrezi ka reaguar më herët duke deklaruar se toka nuk është pronë e shtetit dhe se është blerë me kontratë noteriale nga ish-pronarë, të cilët e kanë përfituar pronësinë përmes vendimeve të kthimit dhe kompensimit që nga viti 1998. Sipas tyre, dokumentacioni i pronësisë është i rregullt dhe i azhornuar në Kadastër. Ata kanë akuzuar gjithashtu banorët se kanë zaptuar sipërfaqe toke, përfshirë edhe prona private, pa dokumentacion ligjor.



Në reagimin e tij të fundit, Braçe shprehet se një tentativë e ngjashme për përvetësimin e kësaj toke ka ndodhur edhe më herët me mbështetje politike. Ai përmend një “agai të ri” që, sipas tij, po synon të ndërtojë parkun fotovoltaik, ndërsa thekson se çështja është aktualisht në fazën e dytë të hetimeve nga Prokuroria e Fierit.
Deputeti ka denoncuar edhe praninë e policisë në zonë, duke pretenduar se banorët janë kërcënuar dhe se po ushtrohet presion ndaj tyre për të lejuar ndërtimin. Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të vijojë projekti dhe çfarë do të vendosin institucionet përgjegjëse lidhur me pronësinë e tokës dhe lejet e ndërtimit për parkun fotovoltaik.






