Maliqi shpërthen pas kallëzimeve në SPAK: Asnjë hetim, zero drejtësi
Ish-deputeti Lefter Maliqi, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ka denoncuar atë që e cilëson si zvarritje të qëllimshme të hetimeve mbi kallëzimet e bëra prej tij për afera korruptive dhe krim elektoral.
Maliqi deklaroi se ka depozituar një sërë kallëzimesh penale, por pavarësisht rëndësisë së akuzave, sipas tij, institucionet e drejtësisë nuk kanë vepruar me seriozitetin e duhur. Ai kërkoi që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të vendoset drejtësi për vjedhjet që, sipas tij, u janë bërë qytetarëve.
Në deklaratën e tij, ish-deputeti përmendi edhe emrin e biznesmenit Pëllumb Salillari, për të cilin tha se ende nuk po hetohet, pavarësisht kallëzimeve të depozituara në Prokurori. Maliqi theksoi se, ndonëse SPAK ka kryer kontrolle në zyrat e tij dhe ka sekuestruar pajisje kompjuterike, deri më tani nuk ka asnjë procedim penal të hapur ndaj tij.
Ai shtoi se i është drejtuar edhe kryeprokurorit të ri, duke shprehur shpresën se kallëzimet e tij do të trajtohen dhe do të marrin përgjigje institucionale. Sipas Maliqit, për disa çështje është informuar se ato nuk janë përcjellë pranë SPAK, ndërsa kallëzime të tjera janë dërguar në prokurori të rretheve.
Ish-deputeti ngriti akuza të forta për krim elektoral, abuzime me tenderë, pastrim parash dhe manipulime me prona, duke kërkuar transparencë dhe hetim të plotë nga organet e drejtësisë. Ai e cilësoi të papranueshme faktin që, sipas tij, edhe pas kontrolleve nga BKH, nuk ka ende asnjë veprim konkret ndaj personave të kallëzuar.
Në fund të deklaratës së tij, Maliqi theksoi se beson se drejtësia e re duhet të reagojë dhe të mos lejojë që, siç u shpreh ai, “paraja të blejë heshtjen e institucioneve”.
“I jam drejtuar kryeprokurorit të ri dhe besoj se do të veprojë dhe do të përgjigjet për kallëzimet që kam bërë. Për katër çështje më kanë kthyer përgjigje se nuk i kanë dërguar në SPAK. Kam bërë 11 kallëzime për një krim të rëndë elektoral…Oligarku Salillari bandit, si ka mundësi dhe kur do e vendosin drejtësinë për akuzat që kam bërë, një kallim është këtu dhe një kallëzim është çuar në Prokurorinë e Beratit, dy km asfalt mbi asfalt, një rrugë tjetër në Gore, gjysma e rrugës është bërë nga komuna.
Krimi elektoral, tender i qenve, çakull elektoral e pastrim parash, vëllai i Anxhelo Kristos ka ndërruar emrin dhe jep garanci me apartamente që i ka në pronësi vëllai i atij Hajdarit…Çfarë ndodh në këtë vend. SPAK zbarkoi tek zyrat e Salillarit mori kompjuterë, por ende asgjë. Gjykata Administrative më kthen përgjigje për mos kompetencë… Salillari ende nuk hetohet se leku e hedh ujin përpjetë…Akoma asnjë hetim…Besoj që Braho Hajdari i Salillarit të fshehur për shkak të bastisje që ka bërë BKH…” u shpreh Lefter Maliqi.






