Motorristët që punojnë për platformën e shpërndarjes së ushqimit Wolt po protestojnë prej gati një jave në Tiranë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe rritje të pagesave.
Sipas tyre, puna që kryejnë çdo ditë nuk reflektohet në të ardhurat që marrin, ndërsa mungojnë edhe garancitë bazë të punësimit.
Pretendojnë presion nga kompania
Punonjësit pretendojnë se janë penalizuar nga aplikacioni i kompanisë, duke u nxjerrë offline pasi kanë marrë pjesë në protesta. Sipas tyre, kjo po përdoret si një formë presioni ndaj motorristëve që kundërshtojnë kushtet aktuale të punës.
Protestuesit thonë gjithashtu se janë shpërndarë mesazhe kërcënuese ndaj tyre nga menaxherë të deleguar të platformës.
Në një mesazh drejtuar punonjësve, një menaxhere paralajmëron se kushdo që merr pjesë në protesta mund të konsiderohet automatikisht i larguar nga puna.
Në komunikim theksohet se forma e pagesës me përqindje dhe jo me rrogë bazë është bërë e ditur që në fillim të bashkëpunimit dhe se kushdo që nuk është dakord me këtë sistem mund të largohet nga puna.
Në mesazh sqarohet gjithashtu se motorristët nuk janë të punësuar drejtpërdrejt nga Wolt, por nga një kompani partnere, e identifikuar si GMS.
Itinerari i protestës në qytet
Protesta e motorristëve ka vijuar për shtatë ditë radhazi dhe zhvillohet në formën e një itinerari proteste në qytet.
Ajo nis nga Sheshi Nënë Tereza, vijon në Bulevardi Zogu I, më pas drejt zonës së Bulevardit të Ri dhe Unazës, për t’u rikthyer sërish në Sheshin Nënë Tereza.
Motorristët shprehen se nuk do ta ndalin aksionin e tyre derisa kërkesat për pagesa më të larta dhe kushte më të drejta pune të merren në konsideratë nga kompania.
Mesazhi i menaxheres drejtuar motorristëve
“Mirëmbrëma çuna.
Na erdhi një njoftim për një protestë prej jush.
Ju nuk jeni punonjës të Woltit, por të GMS.
Rroga juaj është me përqindje siç ju është bërë e qartë që në fillim dhe jo me rrogë bazë.
Askush nuk mbahet në punë me zor. Kush prej zyrës time shkon në protestë të ketë të ditur që konsiderohet automatikisht i larguar nga puna.”







