Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ajo që e cilëson si situatë dramatike në Unazën e Burrel.

Sipas videos dhe fotografive të publikuara prej saj, segmenti i Unazës, i ndërtuar gjatë vitit 2025 me një fond publik prej rreth 1.2 milionë euro, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në disa pjesë vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve.

Në pamje duken çarje dhe shembje të asfaltit në disa segmente të rrugës, çka sipas deputetes ngre dyshime serioze mbi cilësinë e punimeve dhe kontrollin institucional gjatë realizimit të projektit.

Vata thekson se situata tregon një dështim të zinxhirit të kontrollit publik, duke akuzuar institucionet përgjegjëse dhe kompanitë e përfshira në projekt për mungesë përgjegjësie. Sipas saj, të gjithë aktorët e përfshirë duhet të japin llogari para drejtësisë.

“Askush nuk mund të fshihet pas një shkrese. Sepse dokumentet ekzistojnë. Korrespondenca ekziston. Firmat ekzistojnë. Tani duhet të ekzistojë edhe përgjegjësia”, shkruan deputetja në reagimin e saj në rrjetet sociale, duke shoqëruar postimin me pamjet nga rruga e dëmtuar.