Urdhri i shpejtë i dhënë një vit më parë nga kryeministri Edi Rama për ristrukturimin e drejtuesve në Bashkia Vlorë duket se nuk ka prodhuar efektin e pritur. Edhe pse në atë kohë 21 drejtorë paraqitën dorëheqjen në bllok, zhvillimet e fundit tregojnë se një pjesë e tyre mund të rikthehen sërish në poste drejtuese.
Një nga rastet që ka ngritur pikëpyetje është ai i Sokol Kananajt. Pavarësisht dorëheqjes së tij në vitin 2025, ai pritet të rikthehet në një pozicion drejtues, këtë herë në strukturat e tatimeve lokale. Sipas një denoncimi, Kananaj ishte larguar nga detyra disa muaj më parë pas një vendimi për zhbllokimin e një llogarie, veprim që sipas pretendimeve nuk duhej të kryhej, pasi subjekti përkatës kishte detyrime të papaguara ndaj tatimeve të Bashkisë Vlorë.
Në të njëjtin denoncim theksohet se çështja e tij ndodhet në organet e drejtësisë, ndërsa ngrihen pikëpyetje për rikthimin e mundshëm në një funksion të rëndësishëm administrativ. Pavarësisht kësaj, dokumentet e publikuara tregojnë se Kananaj pritet të emërohet drejtor i Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale të Vlorës.
Sipas njoftimit të DAP, ai rezulton kandidat i vetëm në garë për këtë pozicion. Emërimi i tij shihet si një rikthim i shpejtë në strukturat drejtuese, nga drejtoria e UKT-së drejt sektorit të tatimeve vendore, duke marrë sërish një post drejtues në administratën e qytetit bregdetar.
Mungesa e një njoftimi të gjerë për vend vakant dhe fakti që konkurrimi është zhvilluar me një kandidat të vetëm kanë shtuar dyshimet për një proces formal, ndërsa intervista përfundimtare pritet të mbahet më 2 mars 2026.
Zhvillimet e fundit kanë rindezur debatin mbi efektivitetin real të dorëheqjeve të një viti më parë në bashkitë e vendit, të cilat u ndërmorën pas direktivave të kryeministrit Rama. Për shumëkënd, ato po duken më tepër si një lëvizje formale sesa një reformë e thellë në funksionimin dhe përgjegjshmërinë e administratës vendore.







