Klubi polak Lech Poznan është gjobitur nga UEFA për shkelje disiplinore të evidentuara gjatë ndeshjes kualifikuese kundër Yllit të Kuq të Beogradit në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Sipas raportimeve zyrtare nga faqja e klubit, kkslech.com, organi më i lartë i futbollit evropian ka vendosur një sërë masash kundër klubit për incidentet e regjistruara në tribuna gjatë ndeshjes së zhvilluar në gusht të vitit 2025. Përfaqësuesit e UEFA-s kanë zbuluar prezencën e një baneri me përmbajtje provokuese “Kosova është Serbi”, i cili është cilësuar si shkelje e rregullave disiplinore dhe kodeve të fair-play-it në futboll.

Për këtë incident, UEFA ka ndëshkuar Lech Poznanin me një gjobë prej 10,000 eurosh. Sidoqoftë, autoritetet disiplinore evropiane kanë identifikuar edhe shkelje të tjera gjatë takimit, përfshirë sjellje të papërshtatshme të tifozërisë dhe mosrespektim të standardeve të sigurisë, duke çuar në një gjobë totale prej 48,000 eurosh për klubin polak.

Ndeshje e zhvilluar në gusht mes Lech Poznanit dhe Yllit të Kuq ishte shoqëruar me tensione të dukshme në tribunat e stadiumit, duke nxitur reagime dhe shqetësime lidhur me sigurinë dhe sjelljen e tifozërisë. Tani, pas vendimit të UEFA-s, klubi do të përballet me pasojat financiare dhe me një vëmendje të shtuar në adresimin e sjelljeve të ndjekësve të tij në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.