Mijëra familje në Lezhë kanë mbetur pa energji elektrike që prej mëngjesit të djeshëm, kur stuhia e fortë, e shoqëruar me erëra të fuqishme, reshje shiu dhe dëbore, shkaktoi dëme të shumta në rrjetin elektrik.
Disa shtylla elektrike të thyera në Torovicë – rrezik për kalimtarët
Një incident i rëndë u shënua sot në Torovicë, ku një shtyllë elektrike u thye në mes, duke rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve. Pamjet nga vendngjarja tregojnë shtyllën e varur mbi rrugë, ndërsa makinat lëvizin me kujdes për të shmangur kontaktin me telat e tensionit.
Zonat e thella malore në errësirë
Lagje të tëra në qytetin e Lezhës, si edhe në Shëngjin, janë ende pa energji elektrike. Situata është veçanërisht kritike në zonat malore të thella, ku ndërhyrjet nga OSHEE janë bërë të pamundura për shkak të kushteve ekstreme të motit.
Dëme në Spitalin Rajonal
Era e fortë gjatë natës ka rrëzuar dy pemë në oborrin e spitalit rajonal të Lezhës, duke shkaktuar dëmtime në disa automjete të parkuara dhe një objekt aty pranë.
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të shpejtë nga autoritetet për të rikthyer energjinë dhe për të parandaluar aksidente të mundshme nga dëmtimet në rrjetin elektrik. OSHEE dhe institucionet lokale janë nën presion për të adresuar situatën sa më parë.






