Një aksident rrugor është regjistruar në rrugën Transballkanike në Vlorë, ku një automjet ka përplasur një grua rreth 57 vjeç, teksa ajo po kalonte në vijat e bardha.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi dhe nuk ka ndaluar, duke e goditur qytetaren në momentin që po kalonte rrugën.

Pas përplasjes, drejtuesi i automjetit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke e braktisur mjetin në rrugë. Mësohet se makina ka mbetur e ndezur, ndërsa identiteti i shoferit nuk është bërë ende i ditur nga autoritetet.

E dëmtuara ka pësuar lëndime, kryesisht në njërën këmbë, dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e drejtuesit të mjetit, i cili u largua nga vendngjarja.