Koncesionari i Aeroportit të Vlorës rrafshon kodrën e varrezave
Një tjetër alarm për shkatërrim mjedisor po ngrihet në jug të vendit, këtë herë në fshatin Mifol të Njësisë Administrative Novoselë, ku terreni kodrinor po rrafshohet çdo ditë nën zhurmën e mjeteve të rënda, pa asnjë reagim nga pushteti vendor.
Sipas denoncimeve të banorëve, kompania 2A Group, në pronësi të Valon Ademit dhe pjesë e koncesionit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, ka nisur marrjen masive të dherave nga zona e Mifolit, duke i transportuar drejt fushës së kripores, aty ku po ndërtohet aeroporti. Kjo ndërhyrje, sipas tyre, po kryhet pa asnjë dokument zyrtar dhe pa miratim nga institucionet përgjegjëse, qendrore apo lokale.
Ndërkohë që në letër flitet për bllokime aksionesh dhe përplasje mes kompanive që përbëjnë koncesionarin e aeroportit, në terren realiteti është krejt tjetër. Kodrat po zhduken, tokat po shkatërrohen dhe mjedisi po dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme, pa u ndalur nga askush dhe pa u pyetur për ligje apo standarde.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është heshtja totale e institucioneve vendore. Njësia Administrative Novoselë dhe Bashkia Vlorë, pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme nga banorët, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar punimet apo për të verifikuar ligjshmërinë e tyre.
Banorët pyesin hapur: pse për ndërtimin e një avllie, një koteci apo një kasolle, inspektorët e territorit shfaqen menjëherë me gjoba dhe penalitete, ndërsa për dhjetëra kamionë dhe fadroma që rrafshojnë një mal të tërë nuk shkon askush? Ku janë inspektorët e IMT-së, Policia Bashkiake apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit?
Në mungesë të çdo reagimi, dyshimet janë shtuar se kjo heshtje nuk është rastësi. Banorët flasin për interesa të drejtpërdrejta politike dhe lidhje klienteliste që po e mbajnë zonën jashtë çdo kontrolli institucional.
Në qendër të kritikave është edhe administratori i Njësisë Administrative Novoselë, Kanan Shakaj, një emër që prej më shumë se dy dekadash ka qenë i lidhur me drejtimin e kësaj zone. Fillimisht si kryetar komune dhe më pas si administrator pas reformës territoriale, Shakaj vijon të mbajë të njëjtin pozicion, ndërsa banorët pyesin pse Novosela trajtohet si pronë personale dhe pse nuk i hapet rrugë një drejtimi të ri.
Sipas denoncimit, asnjë masë nuk është marrë për të ndalur punimet në Mifol, ndonëse mjetet e rënda janë të dukshme dhe lëvizin çdo ditë nëpër fshat. Banorët pohojnë se brenda një dite nga zona largohen deri në 50–100 kamionë të mbushur me dhe, të destinuar për kantierin e aeroportit.
Situata bëhet edhe më e rëndë nga fakti se ekziston një vendim i Këshillit të Komunës Novoselë i vitit 2014, i cili e përcakton zonën që po rrafshohet si territor të destinuar për varreza. Në atë vendim nuk parashikohet në asnjë moment shfrytëzimi i kodrës për marrje inertesh apo dherash.

Megjithatë, sot nuk ka asnjë dokument publik që të sqarojë se sa metra kub po merren, për sa kohë do të zgjasë kjo ndërhyrje dhe çfarë përfitimi konkret ka komuniteti i Mifolit nga kjo ndërhyrje masive në territorin e tij.
Banorët thonë se kjo nuk është hera e parë që fshati i tyre përdoret si burim i heshtur për mbushje territoriale. Edhe më herët, dheu është marrë për projekte private, kapanone apo toka të tjera, gjithmonë pa dokumente, pa procesverbale dhe pa asnjë njoftim zyrtar nga institucionet.
“Zhvillimi i madh po bëhet mbi shpinën e fshatrave të vegjël”, shprehen ata, duke shtuar se heshtja e institucioneve është më e zhurmshme se çdo justifikim.






