Adrian Sulo| Opinion | Publik.al
Aty nga viti ’92 erdhi mikrobizi i parë në fshat. Ende askush s’kishte një makinë private dhe mikrobizi i verdhë me 18 vende ishte një zgjidhje ideale për ne. Kapardiseshim që tek dera e shtëpisë dhe shkonim drejt e në qytet, për punët tona apo edhe për sevda.
Ca kohë mikrobizi punoi mirë, por më pas filloi të hidhte vickla. Nuk them se nuk na çonte e nuk na sillte jo, nuk na la asnjëherë në baltë por shpesh vëreja fytyrën e shqetësuar të shoferit, i cili dilte e hapte nga pas ku kishte motorin dhe shtrëngonte ndonjë vidhë.
Pasdite, ai kishte “turnin e dytë”: rrinte poshtë mikrobizit dhe përpiqej t’i bënte plastikë një vjetërsi që e kishte mbaruar jetën. E shikoja me duart me vaj e graso dhe mendoja: “Mos ndoshta do të ishte më mirë të kishte blerë një mikrobiz të ri? Mos ndoshta do t’i kushtonte më lirë?”
Të njëjtën gjë mendoja edhe për Partinë Socialiste. E shihja si përpëlitej për t’u reformuar, duke hequr pjesë të vjetra e duke vendosur të reja, por pavarësisht përpëlitjeve, hija e Partisë së Punës ka mbetur ende. Sot nuk ka më militantë ekstremistë, por anëtarë prej kartoni.
Gjithmonë kam menduar se riparimi i diçkaje të vjetër është shumë më i shtrenjtë. Vlen vetëm për nostalgji, si riparimi i një makine retro por nuk është aspak funksionale.
E mendoj këtë sa herë që shoh shtëpinë time në fshat: gjysmë e rrënuar, dhe me siguri do të kushtonte më shumë rregullimi sesa një banesë e re.
Të njëjtën gjë mund të them edhe për PD-në, e cila i përngjan një lokomotive të prishur me një shofer plak. Çdo përpjekje për ta reformuar më duket e dështuar. Sot aty janë mbledhur të gjithë ata që presin të ndodhë rotacioni për të përfituar nga torta e pushtetit.
Rreth politikës, majtas e djathtas, janë mbledhur njerëz dështakë e pa integritet, dhe është pothuaj e pamundur t’i çash.
Zgjidhja e vetme duket SPAK-u, por me sa duket nuk mjafton. Organi i akuzës mund të dënojë pa fund, por kjo nuk përmirëson domosdoshmërisht performancën qeverisëse. Të tjerë, nga i njëjti brumë, vijnë në pushtet dhe avazi vazhdon. Nuk pyesin më as për burg, sepse ndoshta emri s’ju ka interesuar ndonjëherë.
Nëse SPAK godet më fort, mund të largohen hajdutët nga politika për shkak të frikës… por mund të shtohen servilët dhe të pamoralshmit. Berisha e Rama hartojnë lista me njerëz pa aftësi, por me besnikëri të verbër, dhe keqqeverisja vazhdon.
Epo, si i bëhet hallit?
Mendoj se për një lexues të vëmendshëm, e kam dhënë përgjigjen: duhet diçka e re.
Duhet një parti serioze, që qytetarët ta kthejnë kokën dhe të thonë: “Po, këta mund ta bëjnë Shqipërinë.”
Jam kundër partive me një kryetar dhe dishepuj anonimë. Kërkohet një subjekt me intelektualë të zëshëm, ku kryetari të jetë i barabartë mes të barabartëve.
Unë besoj se kjo është e mundur dhe padyshim, një domosdoshmëri.
Nuk e kuptoj sesi intelektualët e këtij vendi lejojnë ende të fyhen nga njerëz injorantë e pa moral.






