Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka mohuar publikisht nga foltorja e Kuvendit se në institucionin që drejton ka persona në masë sigurie, duke deklaruar se asnjë vartës i saj nuk ndodhet në arrest apo pezullim nga detyra.
“Askush sot që flas, në Ministrinë e Arsimit nuk është në asnjë masë arresti dhe as pezullimi, përfshirë edhe zonjën në fjalë (Arta Dollani). Gënjeshtër, gënjeshtër, gënjeshtër”, u shpreh ministrja në seancë plenare.
Deklarata e saj erdhi pas akuzave të deputetëve të opozitës se po mbron Arta Dollani, e cila aktualisht mban postin e drejtoreshës së përgjithshme në Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.
Në arrest shtëpiak për çështjen “Kurum”

Ndryshe nga sa u deklarua në Kuvend, Dollani rezulton në masë sigurie “arrest shtëpiak”, vendim i lëshuar nga Prokuroria e Durrësit në kuadër të hetimeve për transportin dhe eksportin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë Kurum.
Në total, masa sigurie janë dhënë për 33 persona të përfshirë në këtë dosje, që lidhet me dyshime për shkelje në procedurat e menaxhimit dhe lejimit të eksportit të mbetjeve.
Emërim i mëparshëm nga Kumbaro
Akuzat ndaj Dollanit lidhen me periudhën kur ajo drejtonte Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, post në të cilin ishte emëruar gjatë kohës kur Kumbaro mbante detyrën e ministres së Turizmit dhe Mjedisit.
Hetimet fokusohen në procedurat administrative që kanë të bëjnë me lejimin dhe menaxhimin e eksportit të mbetjeve të konsideruara të rrezikshme, çështje që ka shkaktuar debat të fortë publik dhe politik.
Përgjegjësi politike?
Pavarësisht masës së sigurisë, Dollani vijon të mbajë detyrën aktuale në Ministrinë e Arsimit. Qëndrimi i ministres Kumbaro për të mohuar ekzistencën e një mase sigurie ndaj vartëses së saj ka ngritur pikëpyetje të reja mbi transparencën dhe përgjegjësinë politike.
Në një kohë kur çështja e mbetjeve të rrezikshme është nën hetim penal, deklaratat nga foltorja e Kuvendit pritet të verifikohen jo vetëm nga opozita, por edhe nga opinioni publik.






