Moody’s Ratings ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në nivelin “Ba3” me perspektivë të qëndrueshme, duke dhënë një sinjal se ekonomia shqiptare vijon të perceptohet si e qëndrueshme në planin makroekonomik dhe fiskal.
Vendimi është marrë në kuadër të rishikimit periodik të agjencisë, të kryer më 5 mars 2026, ndërsa në analizën e saj Moody’s parashikon që ekonomia shqiptare të ruajë ritme pozitive zgjerimi edhe në dy vitet e ardhshme. Sipas projeksioneve, Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të rritet me 3.6% në vitin 2025 dhe me 3.5% në vitin 2026.
Sipas agjencisë, motorët kryesorë të kësaj rritjeje do të jenë turizmi, investimet e huaja direkte dhe rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës. Moody’s nënvizon se investimet pritet të përqendrohen veçanërisht në energji dhe turizëm, dy sektorë që po mbajnë peshë gjithnjë e më të madhe në strukturën e ekonomisë shqiptare.
Në planin fiskal, raporti vëren se zbatimi i buxhetit gjatë vitit 2025 ka qenë i kujdesshëm. Deficiti buxhetor vlerësohet të ketë arritur në 1.8% të PBB-së në vitin 2025, nga 0.7% në vitin 2024, por sërish mbetet nën objektivin qeveritar prej 2.4%.
Moody’s projekton edhe një ulje graduale të borxhit publik në vitet në vijim. Sipas agjencisë, raporti i borxhit ndaj PBB-së mund të zbresë në rreth 51% në vitin 2027, nga 52.6% që vlerësohet për vitin 2025. Ky zhvillim, sipas vlerësimit, mbështetet nga rritja ekonomike dhe ruajtja e një bilanci primar fiskal të balancuar ose lehtësisht pozitiv.
Në një horizont tre deri në pesëvjeçar, agjencia pret që kjo trajektore rënëse e borxhit të vijojë, me kusht që qeveria të mbajë të pandryshuar kursin e një politike fiskale të kujdesshme.
Perspektiva e qëndrueshme reflekton vlerësimin e Moody’s se faktorët pozitivë dhe rreziqet për notën “Ba3” mbeten të balancuara. Agjencia pret gjithashtu që reformat e lidhura me procesin e integrimit në Bashkimin Europian të vijojnë në mënyrë graduale, ndërsa rreziqet e likuiditetit për qeverinë dhe sistemin bankar të mbeten të kontrolluara.
Rikonfirmimi i këtij vlerësimi konsiderohet si një tregues i vazhdimësisë së stabilitetit makroekonomik dhe i ruajtjes së një kuadri fiskal relativisht të qëndrueshëm për Shqipërinë.






