Ligjvënësja demokrate Denisa Vata ka ngritur shqetësimin për situatën në Spitalin “Xhavit Mara” në Mat, duke denoncuar mungesën e mjekëve specialistë, pavarësisht numrit të lartë të punonjësve të deklaruar në organikë.
Sipas një dokumenti zyrtar të publikuar prej saj në rrjetin social Facebook, spitali rezulton me 166 punonjës, përfshirë edhe stafin mbështetës. Megjithatë, sipas deputetes së Partisë Demokratike, ajo që bie në sy është mungesa e mjekëve specialistë në shërbim të qytetarëve, ndonëse emrat e tyre figurojnë në listë-pagesat e institucionit.
Vata e cilëson këtë situatë si një deformim të funksionit të spitalit, duke e konsideruar atë më shumë si “zyrë punësimi elektoral” sesa si institucion shëndetësor në shërbim të komunitetit.
“Politika që investon më shumë në lista punësimi sesa në shërbim real shëndetësor, që mban struktura të ngrira që nga viti 2017, ndërkohë që jemi në vitin 2026 dhe që e përdor spitalin si mekanizëm social dhe elektoral, jo si institucion shëndetësor për qytetarët”, – shkruan Vata në reagimin e saj.
Deputetja e PD për Qarkun e Dibrës thekson se modeli aktual i menaxhimit të shëndetësisë favorizon kontrollin politik përmes punësimeve, ndërsa lë në plan të dytë shërbimin real ndaj pacientëve.
“Ky është modeli i shëndetësisë së sotme: më shumë punësime për kontroll politik dhe më pak mjekë për shëndetin e qytetarëve”, – përfundon reagimin e saj Denisa Vata.
Çështja e ngritur prej saj pritet të sjellë reagime nga institucionet përgjegjëse, ndërkohë që qytetarët e Matit përballen me mungesë shërbimesh specialistike në spitalin e vetëm të zonës.







