Akademiku i njohur shqiptar, Rexhep Qosja, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në fushën e letërsisë, kritikës dhe mendimit kombëtar.
Lajmi i trishtë është bërë publik nga familjarët e tij përmes një njoftimi zyrtar, ku konfirmohet se ai u nda nga jeta më 23 prill 2026. Sipas njoftimit, ceremonia e varrimit është zhvilluar në mënyrë të thjeshtë dhe private, vetëm në praninë e familjarëve më të afërt.
Familja ka bërë të ditur se kjo mënyrë përcjelljeje ishte një dëshirë e vetë të ndjerit, duke theksuar se nuk do të ketë pritje ngushëllimi apo pjesëmarrje në aktivitete institucionale. Në mesazhin e tyre, ata kanë kërkuar mirëkuptim dhe respekt për këtë vendim, duke apeluar që periudha e zisë të kalojë në qetësi dhe larg vëmendjes publike.
“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga nipi Valjet Rexhepi.
Ikja e Rexhep Qoses përbën një humbje të madhe për kulturën dhe mendimin shqiptar. Ai ishte një ndër figurat më të rëndësishme të botës akademike, me kontribute të vyera në studimet letrare dhe historike, si dhe një zë i fuqishëm në debatet publike ndër vite.






