Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë ndryshime në strukturën drejtuese politike të Partisë Socialiste në disa qarqe, në kuadër të riorganizimit të brendshëm pas zhvillimeve të fundit politike dhe zgjedhore

Asambleja e Partië Socialiste të Shqipërisë ka konfirmuar ndryshime dhe emërime të reja në drejtuesit politikë të qarqeve.

Blendi Klosi do të shërbejë si drejtues politik në Durrës, ndërsa Ulsi Manja rikthehet në Dibër.

Në kryeqytet, Taluant Balla do të jetë drejtues politik bashkë me Ogerta Manastirliu, e cila rikonfirmohet në këtë detyrë. Këto vendime synojnë forcimin e strukturave të partisë në qarqet kryesore dhe përgatitjen për sfidat politike të ardhshme.

Eduard Shalsi largohet nga drejtimi politik i Kukësit dhe do të angazhohet në një njësi në Tiranë. Po ashtu, Damian Gjiknuri do të marrë drejtimin e një njësie tjetër në kryeqytet, duke u bërë pjesë e strukturës organizative në Tiranë.

Ndryshime janë bërë edhe për disa figura të tjera të njohura të Partisë Socialiste. Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe do të angazhohen në drejtimin e njësisë nr. 5 në Tiranë, ndërsa Elisa Spiropali, e cila më herët mbante postin e ministres së Jashtme, do të ketë një rol të ri organizativ dhe do të drejtojë një njësi në kryeqytet.