Ylli Manjani
E drejta e do që SYRI TV, si dhe të gjithë “sytë, veshët e gojët”, “tenxheret e kazanët” që shërbejnë në informimin dhe argëtimin e publikut, qeveria t’u japë një shans formalizimi përpara se t’u tregojë derën e ndjekjes penale.
Media është sektor delikat. Kufiri ndërmjet lirisë së shprehjes dhe lirisë ekonomike është shumë i brishtë. Shoqëri si e jona, ku informaliteti është i lartë, tentojnë gjithmonë t’i ngatërrojnë kufijtë e demokracisë me ekonominë legjitime.
Padyshim që ka nevojë për ndërhyrje rregulluese në tregun e medias, por pyetja është: nga ta fillojmë? Nga ekonomia apo nga demokracia?
E sigurt është që nuk mund të fillohet nga ndjekja penale. Kjo sepse ndërhyrja do të rrezikonte shumë të quhej selektive dhe antidemokratike. Selektive, sepse, të themi të drejtën, nuk është vetëm Syri TV për ndjekje penale. Në ato kushte (të cilat nuk i di, por i marr me mend) ka shumë media, madje edhe me licencë kombëtare.
Aq shumë janë sa ndjekja penale nuk mjafton për t’i dalë në krye këtij problemi.
Le pastaj portalet elektronike me vlera të jashtëzakonshme helmuese për opinionin. Ato janë krejtësisht në ligjet e Far West-it. Janë si sallat e kinemave të Enver Hoxhës që bënin “gjyqe” kundër çdo shfaqjeje të huaj dhe “armikut të klasës”.
Por problemi i këtij sektori kërkon rregullim përpara se të ofrohet ndëshkimi.
Media jonë, përfshi edhe portalet, ka nevojë për një “vit zero” financiar. Një vit të bardhë, ku të ndihmohet të formalizohet dhe të mësojë të ecë në shtratin e ligjshmërisë financiare.
Vetëm kështu fillon të reduktohet mospagesa e pagave dhe e sigurimeve. Vetëm kështu media merr përgjegjësi para ligjit për dëmet që sjell. Vetëm kështu rregullohet tregu dhe konkurrenca e ndershme.
Ndjekja penale, në këto kushte, do të identifikohej shumë lehtë me tezën e hakmarrjes politike dhe me sulmin ndaj fjalës së lirë.
Qeveria ka gurin dhe arrën në dorë. Ajo është kontrolluesja dhe gjeneruesja më e madhe e fluksit të parasë që qarkullon në ekonomi. Me shumë gjasë, ajo i di edhe burimet e financimit të mediave. Ndaj s’ka përse të nxisë ndjekje penale.
Mjafton të disiplinojë kompanitë mediatike, përfshi edhe portalet, dhe t’i detyrojë me ligj të sillen në kushtet e disiplinës financiare të shtetit, si çdo subjekt tjetër tregtar.
Duhet të arrihet standardi që media të ketë bilancet e saj strikt të pavarura nga aktivitete të tjera jashtë mediatike. Media shet reklama dhe, me këto të ardhura, presupozohet të mbajë veten: të financojë rrogat marramendëse të disave dhe ato modeste të shumicës së gazetarëve, të cilat shpesh paguhen me vonesa dhe mangësi.
Por përpara se t’i kërkohet llogari mbi burimin e parave, fillimisht duhet t’i jepet mundësia të formalizojë veten, duke kontabilizuar çdo qindarkë.
Pastaj, dhe vetëm pas këtij ushtrimi, merr kuptim ndjekja penale.






