Sot nuk vendoset thjesht një emër. Sot vendoset në cilin krah anon drejtësia shqiptare: drejt SPAK-ut që prek të fortët apo drejt SPAK-ut që prek vetëm të vegjlit.
Në njërën anë, Klodian Braho i mbështetur hapur nga Altin Dumani dhe segmente të SHBA, për vazhdimësinë e hetimeve të ‘mëdha’, njeriu që Washingtoni e sheh si garanci se dosjet e peshqve të mëdhenj nuk do të varen në mur si dekor. Në anën tjetër, Adnan Xholi, kandidatura që Brukseli butësisht e shtyn përpara, sepse europianet kërkojně “stabilitet dhe qetësi”, edhe kur qetësia blihet me heshtje ndaj korrupsionit.
Kjo nuk është garë mes dy prokurorëve është dyluftim mes dy filozofive: Hetim pa kompromis kundër pushtetit, apo drejtësi e kontrolluar me doreza, për të mos prishur radhët e oligarkisë politike.
Rama, me dosje që i zhurmojnë zyrën, kërkon “njeriun e butë”. Njeriun që garanton se tuneli i hetimeve nuk do të dalë në dritë aty ku dhëmb më shumë: te Balluku, Ahmetaj, Gjiknuri e dhjetëra të tjerë që presin vetëm një firmë për t’u bërë histori.
Të mos gënjehemi nesër votohen dy emra, por në sallë hyjnë dy kampe interesi. Nga njëra anë politika që dridhet nga një SPAK i fortë. Nga ana tjetër aleatët amerikanë që duan vijim të goditjeve, jo pluhur mbi dosje.
Po çfarë zgjedh Shqipëria?
SPAK-un që troket në dyert e ministrive?
Apo SPAK-un që troket vetëm te zyra e patentave e ndonjë polici rrugor?
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK është testi i pjekurisë së shtetit shqiptar. Nëse fiton drejtësia e pavarur, korrupsioni humbet gjumin. Nëse triumfon “drejtësia e kontrolluar”, Shqipëria kthehet edhe një herë në vendin ku dosjet mbyllen dhe fajtori nuk gjendet kurrë.
Për publikun mbetet vetëm një pyetje:
S’po zgjedhim një drejtues, po zgjedhim nëse SPAK do të jetë çekiçi ndaj të fortëve apo çadra e tyre.






