8 Marsi le të jetë një ditë feste për nënat, për gratë dhe për vajzat, të cilat një ditë në vit e kanë për vete. Lulet dhe festat me shoqet nuk i prishin punë askujt.
Por 8 Marsi duhet patjetër të jetë edhe një ditë reflektimi për të drejtat shoqërore, ekonomike dhe politike të grave. Një lule në një ditë nuk mund të mjaftojë për të kompensuar padrejtësitë e një jete të tërë.
Le të mendojmë në këtë ditë për gratë mjeke, infermiere apo police, të cilat duhet të rrinë në shërbim pavarësisht datës apo statusit familjar.
A shpërblehen ato në mënyrën e duhur?
Le të mendojmë për të gjitha gratë punëtore në fasoneri, në restorante, në pastrim apo në punë bujqësore. Sa larg janë ato nga luksi i rremë i lokaleve të Bllokut?
A kanë ditë të mjaftueshme pushimi, paga dinjitoze dhe kontrata afatgjata në punë?
Apo shfrytëzohen dhe rrezikojnë çdo ditë të hidhen në rrugë?
8 Marsin nuk mund ta festojnë gratë që vuajnë ngacmime seksuale në punë. Gratë që përballen me dhunën e bashkëshortit apo bashkëjetuesit, të cilin nuk e denoncojnë dot nga frika. Gratë që shantazhohen me foto apo video intime nga ish-partnerët dhe mbeten peng i turpërimit publik dhe traumës së vazhdueshme.
Në 8 Mars le të mendojmë edhe për nënat e divorcuara që rrisin fëmijët të vetme, pasi burrat nuk japin asnjë kontribut, shpesh për hakmarrje. Për nënat që rrisin fëmijë me sindromën Down, autizëm apo sëmundje të rralla, të cilat përveç shpenzimeve të papërballueshme mjekësore duhet të përballen edhe me stigmën dhe diskriminimin.
Gratë janë aktive në tregun e punës dhe kanë nevojë që barra e punëve të shtëpisë të mos bjerë vetëm mbi to, ndërsa burrat i trajtojnë si shërbyese.
Gratë kanë nevojë për leje lindjeje të garantuar, për shërbim shëndetësor dinjitoz, për çerdhe dhe kopshte të aksesueshme dhe me çmime të arsyeshme.
Për të gjitha këto nevojitet ndërgjegjësim, por zgjidhja, si në shumë raste të tjera, vjen nga politika. Politika duhet të ndërmarrë reforma serioze, të thella dhe me rezultate të prekshme: në punë, në shëndetësi, në familje dhe në përfaqësim politik.
Që 8 Marsi të mos mbetet në butaforinë komuniste të lumturisë së rreme./Lol Albania






