
Nga Naim Noka
Kur pashë videon, nuk u besoja syve. Kjo video ma vrau shpirtin. Kjo video me dy shtazë në Golem nuk është thjesht një konflikt pronësie; është skena e krimit ku dinjiteti njerëzor u ekzekutua në sytë e shtetit. Një nënë e moshuar, me duart që i dridhen nga vitet dhe shenjat e dhunës që i nxihen në lëkurë, u gjend përballë dy “shtazëve” që nuk njohin ligj, as din e iman, madje duken si barbarë të uritur për dhunë që nuk kanë pasur kurrë mama, nënë, gjyshe. Dhe përballë kishte punonjës policie që bënë sehir. Turpi më i madh është se shoqërohet vetëm viktima. Pamjet dhe fotot e nënës së moshuar me hematoma janë fytyra e kësaj shoqërie të degraduar. Një palo shtet! Një palo drejtësi! Një palo polici! Një palo prokurori! Qenefpolitika duhet të marrë meritat e dy shtazëve që dhunuan mes të ditës një nënë hallexhie.
Pyetja që ulëret sot në mendjen time dhe të çdo qytetari normal është: Për kë punon Policia e Shtetit?
Në pamjet e bëra publike, dëshmia është rrëqethëse. Ndërsa mafia e pronave godet pa mëshirë një grua që mund të ishte nëna apo gjyshja e secilit prej nesh, efektivët e pranishëm zgjodhën spektatorin. Por turpi nuk mbaroi me pasivitetin. Ai kulmoi me një veprim që sfidon çdo logjikë njerëzore dhe ligjore: Policia shoqëroi viktimën dhe dy shtazët do jenë shtruar duke përtypur krudo me verë të shtrenjtë.
Ndërsa dy barbarët dhunues do jenë dendur me verë, duke shijuar djersën e “punës” shtazarake, e moshuara përfundoi në rajon, e pafuqishme, pa ndjenja dhe me trupin e mbuluar nga hematomat.
Dhe, gijotina nuk ishte prej hekuri, por prej letre e korrupsioni. Mafia e pronave në këtë vend është rritur aq shumë, sa nuk ka më frikë as nga drita e diellit, as nga kamerat, e as nga prania e uniformave të shtetit. Ata e dinë që në këtë tokë shpesh “e drejta” blihet dhe “e vërteta” dhunohet nga shtazët derisa të heshtë. Shenjat e dhunës në duart e asaj nëne janë dëshmia e një shteti që po lëngon. Ato janë njollat e zeza dhe turpi i institucioneve të falimentuara që sot duhej të kishin vënë në pranga dy shtazët.
Ky nuk është një rast që mund të kalojë me një njoftim të thatë policie apo me “shmangie të vëmendjes”. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet të tregojë sot: Kush e dha urdhrin për të shoqëruar viktimën? Prokuroria duhet të shpjegojë: Pse dy shtazët nuk janë në qeli, por shëtisin të lirë duke terrorizuar një familje?
Nëse sot nuk reagojmë për këtë nënë që ra pa ndjenja nën këmbët e policisë, nesër gijotina e mafies do të trokasë në derën e secilit prej nesh. Dhe kur shteti bëhet palë me dhunuesin, ai pushon së qeni shtet dhe kthehet në një vegël të errët interesash.
Çfarë mund t’i them unë vajzës sime 13-vjeçare pasi ka parë dhunën e dy shtazëve mbi nënën e mjerë? Çfarë t’i them për shtazën tjetër pijanec që u mori jetën dy moshatarëve të saj në Durrës? Asgjë përveç trishtimit nuk mund t’i them për një shoqëri e vend surreal, dhe ligështohesh në çfarë vendi po jetojmë. Po çmendemi si shoqëri! Mos o Zot, mbaje dorën! Medet sa poshtë e kemi ulur rracën njerëzore!






