Banorët e Rrjollit në protestë për ditën e gjashtë, përplasje me policinë dhe shoqërime në komisariat

Situata në zonën e Baks-Rrjollit në Velipojë mbetet e tensionuar, teksa banorët vijojnë protestën kundër ndërtimit të një resorti turistik në pronat që ata i konsiderojnë të tyret.

Për të gjashtën ditë radhazi, dhjetëra banorë janë mbledhur në terren për të penguar nisjen e punimeve, duke deklaruar se nuk do të lejojnë asnjë ndërhyrje në tokat e tyre. Përplasjet me forcat e policisë janë përsëritur edhe gjatë ditës së sotme, duke sjellë tension dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta për shpërndarjen e protestuesve.

Sipas burimeve nga vendngjarja, disa prej banorëve janë shoqëruar në komisariat pas përplasjeve, ndërsa të tjerë kanë vijuar rezistencën në zonë.

Banorët pretendojnë se projekti turistik po zbatohet pa transparencë dhe në shkelje të të drejtave të tyre pronësore, ndërsa kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e konfliktit.

Protesta në Rrjoll po shndërrohet në një nga përplasjet më të forta mes komunitetit lokal dhe autoriteteve, në një zonë ku zhvillimet turistike kanë nxitur debate të forta mbi pronën dhe interesat ekonomike.i