Banorët e Rrjollit kanë zbritur nga fshati i tyre drejt Tiranës me një shpresë të vetme: që dikush t’i dëgjojë. Për katër ditë protestuan në tokat e tyre në Velipojë, ndërsa sot u vendosën përpara SPAK-ut, me pankarta në duar dhe me një kërkesë të thjeshtë: drejtësi për pronat që thonë se po u merren para syve.
Por ndërsa ata kërkojnë hetim për projektin e një resorti turistik në zonën e tyre, ndërsa përballen me policinë dhe institucionet, një tjetër heshtje bëhet po aq e zhurmshme sa protestat e tyre: heshtja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.
O Komisioner, përse hesht?
Kur qytetarët thonë se po përballen me presion, kur pretendojnë se po u shkelet prona dhe po trajtohen me standard tjetër nga pushteti, a nuk është ky momenti kur institucioni që ju drejtoni duhet të flasë? Apo diskriminimi konsiderohet vetëm kur është i lehtë për t’u trajtuar në studio televizive dhe jo kur përfshin përplasje reale mes shtetit dhe qytetarëve?
Sot para SPAK-ut, banorët e Rrjollit nuk kërkuan privilegje. Ata kërkuan hetim. Kërkuan që të verifikohet se si një projekt turistik i lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj po ndërtohet, sipas tyre, mbi toka të trashëguara. Kërkuan që të shqyrtohet roli i institucioneve që kanë firmosur lejet. Madje, bëjnë përgjegjëse edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për firmën mbi lejen e ndërtimit.
Me pankarta ku shkruhej “Drejtësi”, “Besojmë te SPAK”, “Kërkojmë pronat tona”, rreth 60 familje u vendosën përpara organit të akuzës duke deklaruar se besimi i vetëm që u ka mbetur është drejtësia. Ata kanë depozituar edhe kallëzim penal më herët për falsifikim dokumentesh dhe për ndërhyrje në pronat e tyre në zonën Baks-Rrjoll.
Por ndërsa ata kërkojnë drejtësi, një pyetje mbetet pezull: ku janë institucionet që duhet të mbrojnë qytetarin nga abuzimi?
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk është një titull ceremonial. Është një funksion që ekziston pikërisht për momentet kur qytetarët ndihen të pabarabartë përballë shtetit. Kur ata thonë se po trajtohen ndryshe, se zëri i tyre nuk dëgjohet dhe se interesat e mëdha peshojnë më shumë se të drejtat e tyre.
Heshtja në këto raste nuk është neutralitet. Heshtja është qëndrim.
O Komisioner Robert Gajda, nëse institucioni që drejtoni ka kuptim, ky është momenti për të reaguar. Sepse kur qytetarët dalin në rrugë dhe kërkojnë drejtësi me pankarta në duar, ndërsa institucionet heshtin, atëherë pyetja nuk është më vetëm për një resort në Rrjoll.
Pyetja është: kush i mbron qytetarët kur shteti bëhet palë?






