
Në Shqipërinë e Rilindjes, ku realiteti përzihet me absurdin, vetingu, një proçes që supozohej të ishte mjeti i madh i pastrimit të drejtësisë, Olsi Komici do të jetë kandidat i PS-së për zgjedhjet e 11 majit.
Pasi shërbeu me devotshmëri fenomeni Olsi Komici, partia e shperbleu dyke e vënë në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Nga një komisioner i vetingut, që vendoste për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ai u bë drejtues i një institucioni që, teorikisht, duhet të sigurojë sigurinë ushqimore për qytetarët.
Çfarë lidhje ka ushqimi me drejtësinë?
Në pamje të parë, asgjë. Por në logjikën e qeverisë, gjithçka. AKU është një institucion strategjik, jo sepse ka ndonjë mision të shenjtë për mbrojtjen e konsumatorëve, por sepse është një nyjë e rëndësishme ku mblidhen interesa, tendera dhe, natyrisht, influenca politike.
Një investigim më i thellë në punën e Komicit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) tregon një model të qartë: disa nga vendimet e tij janë rrëzuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), duke ngritur dyshime serioze mbi pavarësinë e procesit të vetingut. Ai ka votuar kundër shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kishin probleme me pasurinë dhe integritetin. Dhe për çudi, një pjesë e këtyre vendimeve janë përmbysur nga KPA, ku pjesë e procesit ishin edhe ekspertë të huaj, të cilët duket se nuk e kanë ndarë të njëjtin entuziazëm për “pastërtinë” e gjyqtarëve që Komici dhe kolegët e tij po shpëtonin.
Vetingu si armë politike
A ishte vetingu një proces real për pastrimin e drejtësisë, apo thjesht një filtër ku kalojnë vetëm ata që i shërbejnë pushtetit? Emërimi i Komicit në një post të rëndësishëm qeveritar dhe kandidimi në radhët e PS-së për deput në Librazhd, ngre pikëpyetje serioze. Kur një ish-komisioner i vetingut shpërblehet nga qeveria me një pozicion të tillë, kjo tregon qartë sistemin e korruptuar dhe kontrollin mbi drejtësinë.
Nëse do të kishim një veting të drejtë, do të ishte vetë Komici ai që do të duhej të kalonte një hetim për vendimet e tij, e jo të shpërblehej me një post qeveritar. Në vend të një sistemi ku drejtësia funksionon për qytetarët, kemi një qark të mbyllur ku gjithçka mbetet në duart e Partisë Socialiste.
Drejtësia e re, në duart e të vjetërve
Paradoksi më i madh i drejtësisë së re është se, ndërsa disa gjyqtarë janë larguar, të tjerë janë mbajtur, pavarësisht dyshimeve për pasuri të pajustifikuara dhe lidhje politike. Kreu i SPAK, Altin Dumani, e pranoi vetë: problemi nuk janë ata që u shkarkuan, por ata që e kaluan vetingun dhe vazhdojnë të mbajnë sistemin nën kontroll.
Në këtë realitet, qytetarët shqiptarë kanë mbetur pa drejtësi dhe pa siguri. Vetingu, që u shfaq si një mjet i pastrimit të sistemit, tani duket më shumë si një mekanizëm filtrimi për të mbajtur vetëm “të besuarit” brenda. E ndërsa shqiptarët presin një drejtësi të vërtetë, pushteti siguron që vetëm të përzgjedhurit e tij ta kapërcejnë pragun e vetingut—dhe më pas t’u shpërblejë shërbimet me poste të rehatshme partiake dhe qeveritare.
Në fund të fundit, vetingu duket se nuk ndodhi në drejtësi. Por ndodhi brenda Partisë Socialiste, ku të gjithë po testohen për besnikëri ndaj pushtetit. Dhe kush kalon këtë veting të fshehtë, gjen veten në një post të ri—larg drejtësisë, por gjithmonë afër politikës.





