Një incident i frikshëm është regjistruar në zonën e Manastirit në Zvërnec, ku një autobus me nxënës ka dalë nga rruga, duke shkaktuar panik mes të miturve që ndodheshin brenda.
Ngjarja ka ndodhur në një segment të ngushtë rrugor, ndërsa dy autobusë po tentonin të shkëmbeheshin. Për shkak të mungesës së hapësirës, njëri prej mjeteve ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rruge. Fatmirësisht, autobusi është mbajtur nga shtyllat anësore, duke shmangur një aksident më të rëndë.
Pavarësisht situatës së rrezikshme, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e policisë, të cilat kanë ndërhyrë për stabilizimin e situatës, nxjerrjen e autobusit në rrugë dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.







