260 milionë dollarë dhe rrugë që shemben: “Rruga e florinjtë” dhe modeli i klientelizmi

Shembja e njëpasnjëshme e rrugëve në Shqipëri nuk është thjesht pasojë e reshjeve apo “defekteve teknike”. Pas çdo asfalti që çahet pak muaj pas inaugurimit, qëndron një model i njohur: tendera të dyshimtë, mbikëqyrje formale dhe kompani të lidhura me pushtetin.

Miliona euro nga buxheti i shtetit investohen në infrastrukturë, por cilësia shpesh rezulton nën standard. Rrugë që duhet të zgjasin vite, degradojnë brenda sezonit. Banorët paguajnë dy herë: një herë me taksa dhe herën e dytë me riparime të pafundme.

Ekspertë të fushës flasin për projekte të hartuara dobët, materiale jashtë specifikimeve dhe mungesë kontrolli real në terren. Në shumë raste, e njëjta kompani që ndërton, rikthehet sërish për “riparime emergjente”, duke mbyllur ciklin e përfitimit.

Kur infrastruktura kthehet në instrument klientelizmi, pasojat nuk janë vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë publike. Rrugët që shemben janë simptomë e një sistemi ku prioritet nuk është interesi publik, por pazari politik.


Segmenti 43 kilometra që lidh Qukësin në Librazhd me Qafën e Plloçës në Pogradec, i njohur si “rruga e florinjtë”, ka kushtuar rreth 260 milionë dollarë dhe u ndërtua për më shumë se 15 vite. Por vetëm dy muaj pas inaugurimit, aksi u bllokua nga rënia e masiveve shkëmbore dhe më pas pësoi shembje të plotë të bankinës dhe trotuarit pranë Gështenjasit.

Autoriteti Rrugor fajësoi reshjet e dendura, por ky nuk ishte një rast i izoluar. Probleme të ngjashme u shfaqën në aksin panoramik Shëngjin–Velipojë, në unazën e poshtme të Burrelit, në Tunelin e Murrizit në Rrugën e Arbrit dhe në Tunelin e Llogarasë, ku u publikuan pamje me ujë që rridhte nga tavani.

Tuneli i Llogarasë dhe projekte të tjera janë vënë nën pikëpyetje edhe pas një hetimi të SPAK, që ka evidentuar manipulim gare dhe paracaktim kompanish fituese përmes ndërhyrjeve të dyshuara të ministres Belinda Balluku. Kërkesa për heqjen e imunitetit të saj mbahet në Kuvend prej 16 dhjetorit, pa u futur në shqyrtim.

Ekspertët e infrastrukturës e lidhin serinë e incidenteve me mungesën e studimeve serioze gjeologjike dhe projektimin formal. Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari thekson se shumë projekte janë bërë me nxitim, pa kaluar në filtrat teknikë të domosdoshëm dhe me synim përfitimin ekonomik. Sipas tij, disa vepra – si Tuneli i Llogarasë apo rruga Qukës–Qafë Plloçë – janë konceptuar pa analiza të thelluara mbi përbërjen e terrenit dhe leverdinë reale.

Edhe ekonomisti Zef Preçi flet për një model klientelist që nis nga ideimi i projektit, vijon me projektimin, supervizimin dhe përfundon me marrjen në dorëzim të veprës. Sipas tij, projektet shpesh hartohen me cilësi të dobët, mungojnë studimet e terrenit dhe supervizimi kryhet në kushte konflikti interesi. Kjo çon në situacione të fryra, volume fiktive dhe cilësi nën standard.

Preçi ngre dyshimin se një pjesë e konsiderueshme e fondeve publike për infrastrukturën nuk përkthehet në investim real për ekonominë, por në forcim të kompanive kliente dhe pasurim të paligjshëm të segmenteve vendimmarrëse.

Në këtë sfond, rrugët që shemben nuk janë vetëm dështim teknik. Ato janë pasojë e një modeli ku tenderi, projekti dhe kontrolli mbivendosen mbi interesin publik. Dhe faturën, si gjithmonë, e paguajnë taksapaguesit.