Partia Demokratike ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të koncesionit për ndërtimin e HEC-eve në lumin Shpërdhaza, duke deklaruar mbështetje të hapur për banorët e Kaçinarit në Mirditë, të cilët prej më shumë se një dekade kundërshtojnë projektin.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partia Demokratike e Shqipërisë, Genta Vangjeli, tha se projekti paraqet rrezik serioz për burimet ujore, tokën bujqësore dhe jetesën e banorëve të zonës.

Sipas saj, komuniteti ka denoncuar vazhdimisht shkelje të shumta, duke përfshirë firma të falsifikuara, konsultime publike të manipuluara dhe punime të kryera pa leje mjedisore, ndërsa institucionet shtetërore kanë qëndruar në heshtje.

“Banorët kanë denoncuar vazhdimisht firma të falsifikuara, konsultime publike fiktive dhe punime pa leje mjedisore në të shkuarën. Ata insistojnë se nuk kanë dhënë asnjë miratim dhe e kanë bërë të qartë se toka dhe uji janë trashëgimi e brezave të tyre, jo plaçkë për interesa klienteliste.”, u shpreh ajo.

Partia Demokratike ngriti shqetësim edhe për kërkesën e Prokuroria e Lezhës për pushimin e hetimeve, duke theksuar se kjo situatë forcon dyshimet për mbrojtje politike të çështjes. Sipas PD-së, sorollatja e kallëzimeve nga një institucion te tjetri dhe mungesa e reagimit institucional po minojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.

“Është e papranueshme që përballë kaq shumë denoncimeve, përgjigjja të jetë ‘nuk ka vepër penale’. Kjo minon besimin e qytetarëve te drejtësia. Partia Demokratike kërkon: Pezullimin e menjëhershëm të koncesionit; Hetim dhe transparencë të plotë për çdo falsifikim dhe shkelje ligjore; Një vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme nga gjykata. Banorët e Kaçinarit nuk janë përballë vetëm një koncesioni të dyshimtë, por edhe një sistemi që po u mohon drejtësinë.”, shtoi ajo.

Sipas deklaratës, opozita shprehet e vendosur të qëndrojë në krah të banorëve të Kaçinarit në Mirditë, duke e konsideruar çështjen jo vetëm si një konflikt mbi një koncesion të diskutueshëm, por edhe si një test për funksionimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e interesit publik.

PD thekson se do të mbështesë çdo qytetar që mbron pronën, burimet natyrore dhe jetesën përballë projekteve që, sipas saj, favorizojnë interesa private në dëm të komunitetit.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike qëndron vendosshmërisht në krah të banorëve të Kaçinarit, të cilët prej më shumë se dhjetë vitesh kundërshtojnë koncesionin për ndërtimin e HEC-eve në lumin Shpërdhaza, një projekt që rrezikon ujin, tokën dhe vetë mbijetesën e zonës.

Banorët kanë denoncuar vazhdimisht firma të falsifikuara, konsultime publike fiktive dhe punime pa leje mjedisore në të shkuarën.

Ata insistojnë se nuk kanë dhënë asnjë miratim dhe e kanë bërë të qartë se toka dhe uji janë trashëgimi e brezave të tyre, jo plaçkë për interesa klienteliste.

Pavarësisht protestave, kallëzimeve penale dhe peticioneve, institucionet vijojnë të heshtin.

Fakti që kallëzimet sorollaten nga një institucion te tjetri dhe që Prokuroria e Lezhës ka kërkuar për herë të dytë pushimin e hetimeve, thellon dyshimin se kemi të bëjmë me një aferë të mbrojtur politikisht.

Është e papranueshme që përballë kaq shumë denoncimeve, përgjigjja të jetë “nuk ka vepër penale”.

Kjo minon besimin e qytetarëve te drejtësia.

Partia Demokratike kërkon:

• Pezullimin e menjëhershëm të koncesionit;

• Hetim dhe transparencë të plotë për çdo falsifikim dhe shkelje ligjore;

• Një vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme nga gjykata.

Banorët e Kaçinarit nuk janë përballë vetëm një koncesioni të dyshimtë, por edhe një sistemi që po u mohon drejtësinë.

Ne do të jemi në krah të çdo qytetari që mbron pronën, ujin, jetën dhe dinjitetin e tij përballë një pushteti që u shërben interesave private dhe jo interesit publik.