Banorët e Njësisë Administrative Bradashesh në Elbasan thonë se çdo reshje shiu po kthehet në rrezik real për jetën dhe pronën e tyre, pas përmbytjeve të fundit që goditën zonën mbrëmjen e së dielës. Sipas tyre, situata është përkeqësuar ndjeshëm nga punimet për ndërtimin e një ure të re në segmentin Papërr–Elbasan, pjesë e Korridori VIII.

Banorët: përroi del nga shtrati sa herë ka reshje

Familjet në fshatin Katund i Ri, pranë përroit të Kushës, deklarojnë se përmbytjet janë kthyer në fenomen të përsëritur. Ata lidhin drejtpërdrejt daljen e ujit nga shtrati me punimet që kompania Salillari po kryen për ndërtimin e urës mbi këtë përrua.

Sipas banorëve, ura rreth 100 metra e gjatë ka disa këmbë të vendosura brenda shtratit të përroit, duke penguar rrjedhën normale të ujit. Kur prurjet rriten, uji devijohet jashtë shtratit natyror dhe përmbyt banesat përreth.

Nexhip Meta, një nga banorët e dëmtuar, tregon se përmbytja e fundit i shkaktoi dëme të mëdha ekonomike. Ai humbi 18 koshere bletësh dhe dhjetëra shpendë, ndërsa uji hyri në banesë duke arritur mbi gjysmë metri lartësi. Sipas tij, kjo është hera e tretë që zona përmbytet dhe familjet jetojnë në pasiguri sa herë që parashikohen reshje.

Kompania: situata komplekse, po merren masa

Përfaqësues të kompanisë që po kryen punimet deklarojnë se segmenti është teknikisht i vështirë dhe se situata paraqitet komplekse. Ata thonë se po ndërmerren masa për të shmangur përmbytje të tjera, ndërsa edhe vetë kantieri është dëmtuar nga reshjet dhe dalja e përroit nga shtrati.

Sipas tyre, një prej banesave pranë urës duhej të ishte shpronësuar për të mundësuar zhvillimin normal të projektit, por procedurat shtetërore nuk janë përfunduar ende.

Akuza nga Emergjencat Civile

Ndërkohë, strukturat e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan akuzojnë kompaninë për bllokimin e kanaleve kulluese me inerte ndërtimi, gjë që sipas tyre ka ndikuar në daljen nga shtrati të përroit të Kushës dhe përmbytjen e zonës.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se kjo është hera e dytë që kompania përballet me akuza të tilla në këtë zonë. Reshjet e fundit përmbytën disa banesa edhe pranë zonës së ish-Kombinatit Metalurgjik.

Institucionet vendore njoftojnë se po vijon puna për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, ndërsa në terren do të kryhen verifikime për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të vendosur masat administrative apo ligjore ndaj çdo subjekti që rezulton shkelës.