Janë publikuar pamjet nga momenti i arrestimit të një 35-vjeçari në Dibër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Operacioni policor, i koduar “Vendimi”, përfundoi me vënien në pranga të Klodian Llomit (Mazari), ndërsa gjatë ndërhyrjes mbeti i plagosur një efektiv i forcave speciale.

Sipas Policisë së Shtetit, aksioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit në zonën e Maqellarës, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për vendndodhjen e të kërkuarit. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin me sukses.

Në pranga ra 35-vjeçari, banues në fshatin Kërçisht, i cili ishte në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Romës e kishte dënuar për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”. Dënimi i mbetur për t’u vuajtur është 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg, vendim i njohur nga Gjykata e Apelit.

Gjatë momentit të kapjes, një punonjës i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor me inicialet G.M., është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore. Ai u transportua me helikopter drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për vijimin e veprimeve ligjore.