Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i ka demaskuar me foto, dy blerës të votave për zgjedhjet e 14 Majit, pjesë e ekipit të Zv.Kryeministres Belinda Balluku. “Këta janë kriminelët elektoralë të Belinda Ballukut që ndajnë para në Peshkopi! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital”, shkroi Berisha në Fb.

Qytetari që denoncon rastin ka dhënë detaje të reja për ç’ka shihet në foto: “Mirëmbrëma doktor! Këta janë dy persona, njëra thuhet se është sekretarja e Belinda Ballukut, kurse tjetri – drejtor i saj, që shpërndajnë prej tri ditësh lekë në Peshkopi. Ju lutem denonconi!” shkruan ai.

Pas denoncimit të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Dibër Ismail Uka, të një rasti të shit-blerjes së votës nga ana e mazhorancës në qytetin ku ai kandidon – Peshkopi, Prokuroria thotë se s’ka gjetur pagjishmëri.

Organi i akuzës në Dibër bën me dije se kanë nisur hetimet pas kallëzimit të Ukës, se në një banesë në Peshkopi bëheshin pazare për vota. Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, prokuroria shton se nuk ka rezultuar asgjë e paligjshme. Sipas prokurorisë, tre persona janë shoqëruar në polici, dhe pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë. Prokuroria tha se; “Është kryer kontrolli i banesës të shtetasit E.LL., 33 vjeç, ku pretendohej se shpërndaheshin lekë. Ky shtetas ka qenë në banesën e tij private bashkë me dy shtetase të tjera, S.Z., 37 vjeç dhe E.D., 22 vjeç, me të cilat ka lidhje familjare.”.

“Më datë 12 Maj 2023, rreth orës 17:00 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër është njoftuar nga ana policisë lidhur me denoncimin e shtetasit I. U., kandidat për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, se në një banesë në “Lagjen e re” në Peshkopi po shpërndahen lekë për blerje votash. Menjëherë në vendin e pretenduar se kryhej kjo veprimtari, është nisur grupi hetimor i kryesuar nga prokurori i gatshëm. Pasi është marrë kontakt me punonjësit e Policisë së Shtetit, e cila kishte mbërritur në vendngjarje janë nisur veprimet procedurale. Bazuar në pretendimin e denoncuesit janë këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë së një subjekti privat. Nga pamjet nuk është konstatuar asgjë e paligjshme.

Është kryer kontrolli i banesës të shtetasit E.LL., 33 vjeç, ku pretendohej se shpërndaheshin lekë. Ky shtetas ka qenë në banesën e tij private bashkë me dy shtetase të tjera, S.Z., 37 vjeç dhe E.D., 22 vjeç, me të cilat ka lidhje familjare. Gjatë kontrollit të banesës nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm apo provë që të vërtetonte pretendimet e denoncuesit I.U. Të tre këta shtetas janë shoqëruar në Komisariatin e Policise Dibër ku janë marrë në pyetje. Pasi kanë dhënë shpjegimet dhe nuk ka rezultuar asgjë e paligjshme, të tre janë lënë të lirë“, thuhet në njoftimin e akuzës.

Personat në fjalë janë një punonjës i IKMT-së, i identifikuar si Elton Lleshi dhe dy kolege të tij, që raportohet se janë pjesë e stafit të zv/kryeministres Belinda Balluku.