Denoncimi i fortë i avokatit Arben Llangozi
Avokati Arben Llangozi ka denoncuar një skemë mashtrimi me Call Centera, e zbuluar në një ndërtesë të njohur në qendër të Tiranës, duke theksuar se kjo tregon mos funksionimin e institucioneve më të rëndësishme të vendit.
Sipas tij, bëhet fjalë për një rrjet të gjerë korruptiv brenda Policisë së Shtetit. Llangozi deklaroi se aktiviteti, i cili vazhdon prej vitesh, ka lidhje me politikanë dhe drejtues të lartë të policisë.
“Skemat e tilla kanë lulëzuar për vite me radhë në kryeqytet, duke gjeneruar pasuri të jashtëzakonshme nga aktiviteti kriminal, pa u deklaruar në tatim-taksë. Policia i ka pasur këto shkelje para syve, por nuk ka ndërhyrë”, tha Llangozi.
Ai shtoi se “Policimi në komunitet nuk funksionon, sepse kemi të bëjmë jo vetëm me një skemë mashtruese si Call Center, por me një rrjet korruptiv brenda Policisë së Shtetit.”
Avokati shpjegoi se shumë raste janë denoncuar nga qytetarët, por shpesh policia nuk ndërhyn, duke pritur kallëzime formale. Në shumë raste, ai tha se autoritetet kanë mbyllur sytë dhe veshët, ndërsa rasti konkret ndodhet pranë Drejtorisë së Policisë, Gjykatës së Lartë dhe institucioneve më të rëndësishme shtetërore.
“Bëhet fjalë për një veprimtari kriminale ku shumë institucione shtetërore, përfshirë policinë, kanë lidhje me këto skema. Politikanët, gjithashtu, kanë pjesë aksionesh në këto Call Centera. Aktiviteti që zgjat prej vitesh përfshin rreth 30 milionë euro. Pyetja është: a janë hetuar këto fonde, si është xhiroja dhe si funksionon e gjithë skema? Këtu flasim për mosfunksionim total të policisë, Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe tatim-taksave”, tha Llangozi.
Avokati theksoi se punonjësit e këtyre Call Centereve shfaqeshin me makina luksoze dhe jetesë të shfrenuar, duke pasqyruar mosorganizimin dhe mosfunksionimin e institucioneve shtetërore. Ai shtoi se, nëse Policia e Shtetit nuk reflekton, duhet të ketë përgjegjësi penale.
“SPAK duhet të hetojë se kush dekonspiroi operacionin, sepse një veprim i tillë shkel besimin e publikut. Edhe qiradhënësi, i cili nuk ka nënshkruar kontratë, mban përgjegjësi në bashkëpunim, sepse kjo kontratë lidhet me mashtrim dhe pjesëmarrjen në vepër penale. Besoj se Byroja Kombëtare e Hetimit do të vazhdojë hetimin dhe do të dalin të implikuar edhe politikanë”, tha Llangozi.
Ai theksoi gjithashtu se për të ardhurat e mëdha të përfituara duhet të deklarohet burimi, duke u bërë i qartë publikut se me çfarë të ardhurash jetojnë politikanët që shfaqin një jetë luksoze.
“Politikanët tanë jetojnë me qindra mijëra euro, ndërkohë që publiku duhet të dijë origjinën e këtyre pasurive”, përfundoi avokati.






