Qytetarët e blejnë, Veliaj hedh 1.5 MLD LEKË për tuba uji

Uji i pijshëm në kryeqytet mbetet një premtim i dështuar i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ndonëse në verën e vitit 2017, ai kërkoi rritjen me 40% të tarifës së ujit të pijshëm, i vendosur se kjo ishte skema për të pasur ujë 24 orë në ditë.

Kur aplikimi i tarifës ka 6 vjet që zbatohet, Tirana jo vetëm që vazhdon të vuajë njësoj mungesën e ujit të pijshëm, por edhe ai që vjen nuk është në cilësinë e duhur dhe rrezikon jetën tonë. Ndërsa për furnizimin me 24 orë të mos flasin fare, sepse kjo mbetet një ëndërr utopike e ushqyer nga propaganda e Veliajt.

Kështu, sot në 2023 qytetarët në të gjithë Tiranën e blejnë ujin e pijshëm, por Veliaj nuk i kursen shpenzimet miliarda lekëshe për ujësjellësin.

Së fundmi ai ka regjistruar në sistemin e Agjencisë së Prokurimeve Publike një tender me objekt “Blerje Tuba dhe Rakorderi”. Autoriteti është Ujësjellës Kanalizime Tiranë, nën drejtimin e Elton Kacidhes, i cili merr urdhrat nga shefi i tij Veliaj.

Për këtë tender do të shpenzohen rreth 1. 5 miliardë lekë. Dhe nuk dihet se në cilat zona nevojiten këto tuba, pasi asnjë zonë e Tiranës nuk ka furnizim me ujë të pijshëm sikur është premtuar dhe sikur është nevoja. Madje sipas planit as në këtë vit të mos presin gjë, pasi në dokument thuhet se ujësjellësit do t’i duhet një vit që të vendos këto tuba.

Me pak fjalë i gjithë tenderi është një lëvizje e radhës për propagandën e fushatës zgjedhore, pasi, edhe vetë Bashkia Tiranë e blen ujin e pijshëm.

Çdo vit Bashkia hap nga një tender përmes të cilit siguron shërbimin e furnizimit me ujë. Më i fundit është hapur në prill të vitit të shkuar me objekt “blerje ujë i pijshëm”, për punonjësit e Bashkisë Tiranë për vitin 2022″.

Fondi limit ishte 2.249.925 lekë pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e kontratës ishte parashikuar nga data e lidhjes së kontratës deri në fund të vitit 2022. Kështu së shpejti presim tenderin për furnizimin me ujë të vitit 2023.

Sepse sjellja e ujit të pijshëm me sa duket do të na mbetet “një ëndërr në sirtar”.