Publik.al | 12 Shkurt 2026
Teksa sot pritet të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare, jashtë godinës është paralajmëruar një protestë qytetare nga banorë të Rrjollit në Velipojë dhe qytetarë që deklarojnë se preken nga projekti TID në Durrës.
Sipas njoftimeve, rreth orës 09:00 protestuesit do të “zbarkojnë” para Kuvendit për të kërkuar ndërhyrje institucionale dhe mbrojtje të pronës së tyre.
Banorët e Rrjollit pretendojnë se po u zaptohen pronat në funksion të një projekti ndërtimi turistik. Ata kanë lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke pretenduar se me firmën e saj është dhënë leje për ndërtimin e një resorti mbi tokat që ata i konsiderojnë pronë të ligjshme.
Nga ana tjetër, edhe qytetarë që deklarojnë se preken nga projekti TID në Durrës shprehen se proceset e zhvillimit po realizohen pa transparencë të plotë dhe pa një zgjidhje të qartë për pronësinë.
Protestuesit kërkojnë:
- Verifikim të dokumentacionit të pronësisë
- Transparencë mbi lejet e ndërtimit
- Ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse
Seanca plenare e sotme pritet të zhvillohet në një klimë tensioni, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim zyrtar nga qeveria lidhur me pretendimet e ngritura nga banorët.







