Nga 666 kWh në 726 kWh, paguan më shumë nga kalimi i fashës
Një qytetar ka denoncuar një rast të dyshuar të mbifaturimit të energjisë elektrike, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e përpunimit të të dhënave nga operatorët energjetikë.
Sipas tij, për muajin shkurt ka konsumuar realisht 666 kWh, shifër që – sipas pretendimit – verifikohet drejtpërdrejt në matës në ditën e leximit. Megjithatë, në faturë rezulton i regjistruar një konsum prej 726 kWh, pra 60 kWh më shumë se konsumi real.
Kjo diferencë, sipas qytetarit, nuk është thjesht një gabim teknik, por ka sjellë pasoja financiare direkte. Rritja artificiale e konsumit e ka kaluar abonentin në një fashë më të lartë çmimi, duke e detyruar të paguajë çdo kilovat me tarifë më të shtrenjtë – 9.5 lekë për kWh në vend të 8.5 lekëve.
Në përfundim të faturës, qytetari pretendon se ka paguar rreth 15 mijë lekë të vjetra më shumë, vetëm si rezultat i këtij ndryshimi në përllogaritje.
“Kilovatët në matës janë të njëjtë, pavarësisht se muaji mund të jetë mbifaturuar. Por për shkak të kalimit të fashës, pa asnjë arsye të justifikuar, pagova më shumë para”, thuhet në denoncim.
Rasti hedh dritë mbi një problem potencial sistemik: nëse përpunimi i vonuar ose i pasaktë i të dhënave çon në rritje artificiale të konsumit, atëherë qytetarët mund të penalizohen padrejtësisht përmes tarifave më të larta.
Ky denoncim kërkon verifikim nga institucionet përgjegjëse dhe transparencë mbi mënyrën e leximit dhe faturimit të energjisë elektrike, në një kohë kur çdo diferencë në faturë ndikon drejtpërdrejt në buxhetin familjar.






