Kur SPAK trokiti në derën e qeverisë, Edi Rama nuk bëri asnjë hap pas. Përkundrazi, u përpoq ta mbrojë politikisht Belinda Ballukun, duke e paraqitur pezullimin e saj si një “ndërhyrje në balancën e pushteteve”. Por loja ka ndryshuar.
Pas vendimit të Gjykata Kushtetuese, narrativa e qeverisë u rrëzua. Topi kaloi në fushën e Kuvendit.
Tani është radha e SPAK, që ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe hapjen e rrugës për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, pritet të thërrasë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Formali? Po. Por politikisht është një moment i rëndë. Sepse tani shumica duhet të zgjedhë: ta mbrojë deri në fund apo ta lërë drejtësinë të bëjë punën e saj?
Madje, edhe Komisioni Evropian ka qenë i qartë: Kuvendi duhet ta adresojë pa vonesë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Mesazhi nga Brukseli është i drejtpërdrejtë – mos e bllokoni procesin.
Në këtë klimë, Rama ka paralajmëruar ndërhyrje ligjore, duke synuar ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për të saktësuar çështjen e imunitetit të ministrave. Por pyetja lind vetë: a janë këto ndryshime për të sqaruar ligjin apo për të fituar kohë?
E vërteta është se për herë të parë në këtë nivel, beteja nuk është më vetëm juridike. Është politike. Është mesazhi që jepet për reformën në drejtësi.
Rama e mbrojti sa mundi. Tani ai ndodhet përballë një zgjedhjeje të vështirë: ta mbajë Ballukun politikisht në krah dhe të përballet me koston ndërkombëtare, apo ta lëshojë dhe të shpëtojë shumicën nga një përplasje e drejtpërdrejtë me SPAK-un.
Sepse në fund, imuniteti politik ka kufij. Dhe kur edhe Brukseli po vështron, loja bëhet shumë më e madhe se një emër i vetëm.






