Paralajmërim për ndërhyrje në reformë?

Kryeministri Edi Rama ka rikthyer fokusin te drejtësia, duke deklaruar në podcastin e tij “Flasim” se sistemi është sot i pavarur, por ende i paanshëm dhe i pakualifikuar, duke lënë të nënkuptohet se reforma e vitit 2016 ka nevojë për një fazë të dytë korrigjuese.

Sipas Ramës, pavarësia e sistemit të drejtësisë është arritur “falë lidershipit të Partisë Socialiste dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar”, por sfida qëndron tek ngritja e një drejtësie të paanshme dhe cilësore.

Në këtë kuadër, ai solli në vëmendje një takim të zhvilluar në Paris me ministrin francez të Drejtësisë, ku është diskutuar për rolin e ekspertëve francezë në hartimin e draftit të ri të Kodit Penal dhe për reformimin e politikës penale në vend.

“Na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri… kemi më në fund një drejtësi të pavarur, por nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore”, tha Kryeministri, duke shtuar se kjo fazë kërkon punë të mëtejshme.

Deklaratat vijnë pas pjesëmarrjes së Ramës në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën në Paris, i thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron, ku sipas tij u bë bilanci i koordinimit mes aleatëve perëndimorë dhe Kievit për garancitë e sigurisë.

Paralajmërim i ri për reformën në drejtësi?

Nuk dihet ende nëse qasja e re e Ramës është një sinjal për ndërhyrje institucionale në sistem, por mesazhi politik është i qartë: fasat e para të reformës nuk mjaftojnë më.

Kryeministri ka qenë prej kohësh kritik ndaj SPAK, GJKKO dhe trupës së prokurorëve e gjyqtarëve, duke i akuzuar disa syresh se vendimet e tyre “nuk mbrojnë interesin publik”. Këto qëndrime kanë shkaktuar reagime nga komuniteti gjyqtar-prokuror, nga shoqatat profesionale, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë të cilët vijojnë të mbështesin fort pavarësinë e drejtësisë dhe distancën e saj nga politika.

Reforma në drejtësi e miratuar në vitin 2016 çoi në ngritjen e institucioneve të reja si SPAK, GJKKO dhe BKH, por prej vitesh diskutohet se balancimi mes pavarësisë dhe performancës mbetet i pambyllur.

Sot, Rama e sheh problemin te paanësia dhe cilësia. Ende nuk ka detaje se çfarë forme institucionale mund të marrë ndërhyrja e ardhshme, por disa analistë e lexojnë këtë si hapjen e fazës 2 të reformës.