Akuzat e forta ndaj drejtuesit të ri të AKSHI

Studiuesi dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, ka bërë një denoncim publik ndaj drejtorit të ri të AKSHI, Igli Tafa, duke e akuzuar për plagjiaturë në një artikull shkencor të publikuar vite më parë.

Sipas Mukës, një studim i vitit 2011 i Tafës përmban pjesë të kopjuara fjalë për fjalë nga publikime të mëhershme ndërkombëtare, duke ngritur dyshime serioze mbi standardet akademike dhe profesionale të drejtuesit të një prej institucioneve më të rëndësishme digjitale në vend.

Në reagimin e tij publik, Muka shprehet se artikulli “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Networks”, i publikuar në vitin 2011, rezulton të ketë përmbajtje identike me studime të publikuara më herët nga autorë ndërkombëtarë në Malajzi dhe Indi. Sipas tij, pjesë të tëra të punimit janë marrë pa referencë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë copy-paste.

Ai shton se drejtimi i një institucioni si AKSHI, që administron sistemet digjitale shtetërore dhe të dhënat e qytetarëve, kërkon standarde të larta profesionale dhe integritet akademik. Për këtë arsye, sipas Mukës, rasti ngre pikëpyetje mbi kriteret e përzgjedhjes së drejtuesve në institucione kyçe të shtetit.

Studiuesi nënvizon gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që drejtues të këtij institucioni përballen me akuza për plagjiaturë, duke kujtuar edhe debatet e mëhershme për ish-drejtues të AKSHI-t.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga drejtori i AKSHI, Igli Tafa, lidhur me akuzat për plagjiaturë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet përkatëse do të nisin verifikime mbi pretendimet e ngritura publikisht.

Debati pritet të zgjerohet, pasi çështja prek standardet akademike, integritetin profesional dhe besueshmërinë e institucioneve që menaxhojnë infrastrukturën digjitale dhe të dhënat e qytetarëve.

“Dashuria e Kryeministrit Rama për plagjiaturën s’ka fund…

Artikulli shkencor i vitit 2011 i Igli Tafës, drejtorit të ri të AKSHI, është kopjuar fjalë për fjalë (copy–paste) nga studime të publikuara më herët në Malajzi dhe Indi. Mes mijërave shqiptarëve të asimuar, Kryeminstri sërish provon se plagjiaturën e ka kriter për drejtuesit.
Bëhet fjalë për studimin: “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Networks” (2011), i cili rezulton identik me pjese nga dy artikujut e Aisha-Hassaan (2008) dhe I. Latha (2009)
AKSHI është institucioni që administron sistemet digjitale të shtetit dhe të dhënat e qytetarëve. Si mund të drejtohet një institucion kaq kritik nga dikush me një precedent të tillë?
Dhe pyetja tjetër: a është vetëm ky artikull i tij 100% copy–paste?
Rasti nuk duket i izoluar: edhe ish-drejtoreshen e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e kemi treguar per doktoraturen 100% plagjiaturë.
Pas gjithë ngjarjeve të rënda që lidhen me AKSHI, jane te qarta pasojat kur institucione kritike drejtohen nga njerëz me standarde të ulëta profesionale,” shkruan Taulant Muka.